E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mesiç: Kroacia do të dëshmojë pro Kosovës në GJND

Presidenti kroat, Stjepan Mesiç ka deklaruar se Kroacia nuk ka asnjë arsye që të hezitojë edhe para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të paraqesë arsyet se pse ka marrë vendim për njohjen e Kosovës.
"Mendoj se do të ishte hipokrite që paraprakisht ta njohësh e pastaj të hezitosh të flasësh për këtë", ka thënë Mesiç në një intervistë për gazetën e Beogradit "Blic", duke shtuar se kjo nuk është drejtuar kundër popullit serb.
I pyetur se a mendon edhe më tej që Serbia duhet të "dekosovizohet", siç është shprehur me një rast, Mesiç tha se me termin "kosovizim" nuk mendon asgjë të "keqe për Serbinë".
"Thjesht dua të them se si edhe për Serbinë edhe për rajonin do të ishte mirë që çështja e Kosovës nuk do të ishte alfa dhe omega e politikës së Serbisë, përkatësisht që ajo politikë nuk do të ishte në rrugën më të mirë që të bëhet rob i çështjes së Kosovës", tha Mesiç.
Ai ka nënvizuar se me kohë, deshi apo nuk deshi dikush, do të imponohet nevoja që të vendoset komunikimi midis Serbisë dhe Kosovës edhe për shkak të serbëve që jetojnë në Kosovë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›