Mesila Doda: Zgjedhjet në PD, të parregullta, gara ishte e pabarabartë (por Berisha është ati shpirtëror i kombit)
Anëtarja e kryesisë së Partisë Demokratike, Mesila Doda, në një intervistë për Ilir Babaramon në A1Report, tha se gara për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD ishte e parregullt.
Ajo tha se ka pasur probleme të dukshme me listat.
Sipas Dodës, në mbledhjen e parë të kryesisë u tha se ishin 100 mijë anëtarë, ndërsa më pas doli një shifër më e lartë.
E pafalshme që për tetë vite nuk kemi pasur një listë të anëtarësisë, tha Doda.
Ajo shtoi se procesi nuk u garantua dhe kishte njëanshmëri. Doda foli edhe për ndryshim të rregullave të lojës gjatë rrugës.
Doda apeloi për një regjistër të besueshëm të anëtarëve të PD.
Vendimet e atyre që u morën me listat e partisë janë të diskutueshme dhe të kontestueshme, tha Doda.
Sipas saj, në fund të garës, Olldashi nuk po shihej si rival, por si një anti- figurë.
Doda tha se është shqetësues fakti që PD është kthyer në një parti nëpunësish.
Sipas saj, përkrahësit e PD janë nën presion, por nuk pranoi se ka një gjueti shtrigash.
Ka pasur drejtorë që janë pushuar në qarqe vetëm pse ishin mbështetës të njërit prej kandidatëve, tha Doda duke folur për një ushtri nëpunësish që ka ndikuar në garë.
PD nuk ka lindur si një parti nëpunësish, por si një parti e standardeve të njerëzve të lirë, tha Doda.
Ishte një garë mes dy figurave më të rëndësishme të PD. Do të duhej ta kishin vazhduar në mënyrë të barabartë. Por nuk ndodhi kështu, tha Doda.
Unë për këtë besoj se kanë qenë fajtorë të gjithë hallkat që duhej të ishin garantë të procesit, tha Doda.
E pyetur nëse është Berisha ai që ka ndikuar që gara të mos jetë e barabartë, Doda lëshoi një lumë vlerësimesh për ish- kryetarin e PD.
Berisha është një nga mendjet e ndritura dhe burrat që ka ndikuar pozitivisht politikën shqiptare, tha ajo, duke shtuar se Berisha ka bërë një analizë për humbjen.
Berisha ka ende shumë për të dhënë në politikën shqiptare. Berishën e shoh më tepër si ati shpirtëror i kombit, tha Doda.
E pyetur nëse ka votuar për Olldashin, Doda tha se: Nuk e kam fshehur për asnjë moment se kam qenë mbështetëse e zotit Olldashi.
Unë mendoj se PD duhet të kthehet fort nga militantët dhe Olldashi është një nga njerëzit më partiakë që njoh.
Doda tha se priste një qasje më të shpejtë ndaj Bashës sa u përket problemeve të partisë. Sipas saj, mund të kishte mbledhje të kryesisë apo takime me drejtuesit e degëve.
Të gjithë ne po mendojmë se jemi në pushtet. Ne nuk jemi më në pushtet, tha Doda.
Sipas saj, vërejtjet e bëra nga nënkryetari i PD, Astrit Patozi, duhen komentuar, por nuk mund të bëhen armiq të gjithë për çdo koment.
Ne nuk kemi komentuar vërejtjet që janë bërë nga Gazmend Oketa, Mark Marku apo edhe Astrit Patozi. Nuk bëhet njeriu armik për tre javë vetëm pse konkurroi në një proces, tha Doda.
Në fund Doda tha se zgjedhjet e 23 qershorit patën probleme, ndaj duhet transparencë e procesit.
Ajo shtoi se nuk është thënë nga askush që PD nuk do të njohë rezultatin.
Përfundimisht politika duhet të punojë veten nga të fortët dhe krimi, tha Doda./ep