E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Mësimi më i mirë për arrogantin Rama”

04/08/2009  Kryeministri Sali Berisha komenton zgjedhjet e pjesshme në komunën e Ballagatit

Shefi i ekzekutivit sugjeron që kryesocialisti të bëjë llogaritë nisur nga këto votime

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar nga Jugu i vendit se fitorja e kandidatit të Partisë Demokratike në komunën e Ballagatit të rrethit të Lushnjës përbën një mësim të mirë për kreun e Partisë Socialiste Edi Rama, i cili nuk di të humbë e të pranojë humbjen. Kreu i qeverisë ka përshëndetur zgjedhësit e Ballagatit, që sipas tij konfirmuan besimin e palëkundur te mazhoranca, te ndryshimi i Shqipërisë. “I falënderoj ata për mësimin e shkëlqyer që i dhanë Edi Ramës, i cili me arrogancën e tij, me fodullëkun e tij e ka të vështirë të nxjerrë mësime”, - ka thënë Berisha. Duke u përqendruar te qëndrimet e Partisë Socialiste dhe kreut të saj, ai theksoi se gjatë punimeve të Asamblesë Kombëtare të PS-së, të cilën Rama e mblodhi megjithëse është mandathumbur, deklaroi se nuk do të njihte zgjedhjet. “Unë dua t’i them zotit Rama këtu nga Dhërmiu këto fjalë: në qoftë se ti nuk njeh popullin tënd, kujdes, se do të marrësh ndëshkimin më të madh të tij dhe ky ndëshkim është se ai nuk do të njohë ty fare. Populli është i përjetshëm, kurse politikanët si ti janë limonada të përkohshme, që thartohen në verën e parë, siç u thartove ti. Kjo është e vërteta”, - ka deklaruar shefi i ekzekutivit. “Megjithatë, - tha Kryeministri Berisha, - atë që duhet t’ia thotë mazhoranca, ia tha Ballagati dhe rezultati i votimeve atje.” Berisha kërkoi që kryesocialisti të bëjë mirë llogaritë duke u nisur nga rezultati i votimeve në komunën e Ballagatit. “Pse nga parti që kishte fituar zgjedhjet dy vjet më parë humbi me 73 për qind, mbeti me 26 për qind dhe do të shkojë drejt 17”, - deklaroi Kryeministri. Nga Jugu ai garantoi banorët e Ballagatit se vota që ata i besuan Partisë Demokratike në zgjedhjet e pjesshme lokale do të shndërrohet në një mirësi konkrete për çdo fermer të Ballagatit. Gjatë takimit me banorët e Bregut Berisha ka deklaruar se Edi Rama duhet lënë në banesën e humbjes, aty ku e ndrynë shqiptarët më 28 qershor. “Kurse ne së bashku le të vazhdojmë të këndojmë këngën e fitores, duke inauguruar rrugë, ujësjellës, kanalizime, duke urbanizuar këtë zonë, sepse ky vit është sërish viti i bumit turistik për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ju garantoj se çdo vit turizmi në këtë vend do të jetë në rritje”, - ka deklaruar kreu i qeverisë.

Dh. Spiro

Kryeministri Berisha

“Përshëndes zgjedhësit e Ballagatit, të cilët konfirmuan besimin e palëkundur te mazhoranca, te ndryshimi i Shqipërisë. I falënderoj ata për mësimin e shkëlqyer që i dhanë Edi Ramës, i cili me arrogancën e tij, me fodullëkun e tij e ka të vështirë të nxjerrë mësime. Unë dua t’i them zotit Rama këtu nga Dhërmiu këto fjalë: në qoftë se ti nuk njeh popullin tënd, kujdes, se do të marrësh ndëshkimin më të madh të tij dhe ky ndëshkim është se ai nuk do të njohë ty fare. Populli është i përjetshëm, kurse politikanët si ti janë limonada të përkohshme, që thartohen në verën e parë, siç u thartove ti.”

Investimet në Jug

Berisha: Investime në ujësjellës dhe rrugë

Kryeministri Sali Berisha ka premtuar në zonën e Bregut se qeveria që ai drejton është e vendosur të ndihmojë të gjithë banorët e kësaj zone dhe të bëjë çdo investim, në mënyrë që Bregu të bëhet një nga zonat më të famshme në Europë për turizmin dhe një nga zonat më të bukura të saj, jo vetëm të Shqipërisë. Ai ka përcaktuar si prioritare shtrimin dhe asfaltimin e të gjitha rrugëve të komunave dhe fshatrave, si dhe të mundësojë furnizimin me ujë për 24 orë pa ndërprerje. “Ajo çka unë ju premtoj juve është se qeveria është e vendosur të garantojë furnizimin me 24 orë ujë për të gjitha familjet e Bregut; është e vendosur të asfaltojë çdo rrugë dhe rrugicë të fshatrave tuaja, në mënyrë që të lehtësojë jetën tuaj dhe t’i bëjë ato sa më mikpritëse për turistët që vijnë nga e gjithë bota”, - deklaroi Berisha. Kryeministri Berisha vizitoi disa fshatra të bregut të Jonit, ku inauguroi një sërë veprash të rëndësishme të infrastrukturës së brendshme. I shoqëruar nga një grup deputetësh, kryebashkiaku i Himarës Vasil Bollano dhe në prani të autoriteteve lokale, Kryeministri Berisha inauguroi ujësjellësin e fshatit Gjilekë, që kap një vlerë prej 41 milionë lekësh, furnizon me ujë 460 familje për 24 orë gjatë gjithë vitit. Ai premtoi se së shpejti do të inaugurohet ujësjellësi i Vunoit, i cili do t’i japë ujë për 24 orë, si dhe ka përfunduar projekti dhe do të fillojnë punimet për ujësjellësin e Himarës. Kryeministri Berisha bëri thirrje për mbjelljen e ullirit në këto zona.

“Qeveria është e vendosur t’ju ndihmojë juve dhe të bëjë çdo investim, në mënyrë që Bregu të bëhet një nga zonat më të famshme në Europë për turizmin dhe një nga zonat më të bukura të saj, jo vetëm të Shqipërisë.”

Ilir Meta shëtit me jaht brigjet e bregdetit jonian

Negociatat për bashkëqeverisje, Berisha e Meta në Jug

Përflitet për një takim mes krerëve të dy partive politike

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, është parë fundjavën e kaluar të vizitojë brigjet e detit Jon me një jaht luksoz. Sipas burimeve, kreu i LSI-së gjatë këtyre ditëve të pushimeve ka qenë i shoqëruar nga njëri prej biznesmenëve më të mëdhenj vendas dhe një ish-mis. Meta së bashku me familjen ka udhëtuar në disa prej zonave më të bukura bregdetare të Jugut të vendit, ndërkohë që po në atë zonë është gjendur edhe Kryeministri Sali Berisha. Kreu i qeverisë gjendej në zonën e bregut për të përuruar disa investime të rëndësishme publike, por më pas edhe për të kaluar disa ditë pushimesh. Duke iu referuar medieve, Meta dhe Berisha kanë zhvilluar një takim. Nuk dihet saktësisht se për çfarë kanë folur krerët e dy partive dhe aleatët e rinj, të cilët i kanë dhënë fjalën njëri-tjetrit për të bashkëqeverisur vendin në katër vjetët e ardhshëm. Megjithatë, duke marrë në konsideratë situatën aktuale politike në vend, biseda mes tyre mendohet të jetë përqendruar rreth ndarjes së posteve ministrore dhe për bashkëpunimin mes dy partive që ata drejtojnë në të ardhmen, si dhe kushtet e vendosura nga LSI-ja. Duket se ky takim mes Berishës e Metës përbën pikënisjen e negociatave për formimin e qeverisë së re, të cilat do të intensifikohen me kalimin e ditëve. Zyrtarisht Kryeministri Berisha ka thënë se negociatat për përbërjen e qeverisë dhe ndarjen e posteve do të zhvillohen në dhjetëditëshin e fundit të muajit gusht. Por udhëtimi i Metës në Jug të vendit, pushimet e Berishës po në këtë zonë dhe takimi mes tyre duken si jo të rastësishme. Kështu, edhe pse jemi në ditët e para të gushtit dhe ende duhen rreth tri javë për të mbërritur në periudhën që kishte deklaruar Berisha për nisjen e negociatave zyrtare, takimi i kësaj fundjave duket tepër domethënës. Ndërkohë mësohet se negociatat kanë ditë që kanë nisur mes përfaqësuesve të dy forcave politike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›