E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mësimi që na vjen prej Napoleon Bonapartit!

Ngjan pak si e çuditshme kjo lidhje që dua të bëj mes nesh dhe Perandorit të fuqishëm francez, çfarë e kam reklamuar që në titull! Sidoqoftë, kjo përqasje, që dua ta sjell nëpërmjet radhëve të mëposhtme, më erdhi fare rastësisht teksa po dëgjoja diskutimin e ambasadorit të BE-së në Tiranë, z.Ettore Sequi, në takimin e zhvilluar këto ditë prej Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, me rastin e 100- vjetorit të Pavarësisë së vendit dhe krijimit të shtetit tonë të parë. Ishte një takim ku gazetarë të njohur e përfaqësues të mediave të ndryshme shkëmbyen me njëri-tjetrin ide dhe mendime mbi shtypin e lirë dhe ndërkohë përçonin edhe mesazhe për të ardhmen më të pavarur të tij. Në këtë linjë, ambasadori Sequi, ndër të tjera, e ilustroi forcën dhe ndikimin që ka shtypi i lirë me një proverbiale nga ato të shumtat e Napoleon Bonapartit që në ato kohëra paska thënë se, më shumë ua kishte frikën tri gazetave se sa treqind bajonetave...
I ftuar për të treguar diçka nga përvoja ime e gjatë prej gati katër dekadash në gazetarinë sportive, citimi në atë takim i Perandorit të gjithëfuqishëm, që i trembej shtypit më shumë se sa betejave, më bëri të më duken krejt pa vlerë gazetat tona të sotme, që edhe pse të panumërta e të llojllojshme, nuk e kanë aspak atë efekt të atyre “tri gazetave” të hershme, që ua kishte aq shumë frikën Napoleoni i Madh! Vetvetiu m’u desh, që ato që kisha menduar t’i paraqisja mes kolegëve, t’i trajtoja nëpërmjet këndvështrimit që më vinte prej asaj kohe napoleoniane, ku edhe pse numëroheshin aq pak gazeta, të vërtetat që ato mbartnin, ua prishnin gjumin krejt parisë së asaj kohe, përfshi edhe vetë Madhërinë e Tij.
Për vetë temën që do të trajtoja, mendimi i parë për të ndjekur analogjinë e rastit të mësipërm më erdhi për gazetat e revistat e shumta sportive që dalin aktualisht tek ne. Më doli në shteg ky fakt, nga që vendi ynë për nga sipërfaqja territoriale dhe për nga numri i popullsisë duhet të radhitet i pari në botë për numrin më të madh të gazetave të përditshme sportive që nxjerr në qarkullim, gjë që më shumë se një krenari, më tepër mund të quhet një paradoks shqiptar, kur dihet se Anglia si vendi i shpikjes së sporteve, apo Nju-Jorku si metropol i botës, nuk kanë asnjë gazetë të tillë! Dhe të mendosh se i gjithë ky vërshim i gazetave tek ne, jo vetëm i atyre sportive por të çdo lloji, nisi vetëm në këto vite tranzicioni, ku bashkë me demokracinë shumëkush krijoi iluzionin se edhe gazetat do t’i shërbenin më mirë së vërtetës... Gjithnjë duke folur për shtypin tonë sportiv, lindur në mesin e vitit 1925, atëherë kur shteti sapo kishte nisur të merrte formën e tij europiane, pas gati një dekade të shpalljes së Pavarësisë, dhe kur krijuesi i saj Palok Nika me kolegë të tjerë shkodranë të kulturuar si Anton Mazreku dinin ta thoshin troç të vërtetën e të pasqyronin me hollësi e korrektësi çdo ndodhi sportive shqiptare të kohës, mendimi që më vjen tani, i veshur me atë vellon e proverbiales napoleonike, më bën të pohoj me plot gojën se gazetat e sotme, siç thotë populli, janë shumë e për lumë. Ndërsa gazeta e parë sportive shqiptare pati dalë në dritë pikërisht në atë vit kur për herë të parë në historinë e këtij vendi zhvillohej një Rreth çiklistik, që u pasqyrua në faqet e saj e gjeti jehonë edhe në botën e jashtme, si i pari aktivitet i tillë europian për amatorë e që përfshinte një itinerar prej mbi 1300 kilometra nëpër gjithë Shqipërinë, ku rrugët mungonin dhe shpesh përrenjtë e lumenjtë duheshin kaluar në këmbë e me biçikletat e garës mbi shpinë, një panoramë krejt tjetër është kjo e tanishmja, ku moria e gazetave tona të përditshme sportive kanë vetëm një fytyrë, anemike për të gjithë, që të çmendur vetëm pas futbollit, injorojnë deri në absurditet garat e tjera sportive në vend.
Kontributi i jashtëzakonshëm i atyre njerëzve me horizont e plot dije që i çelën rrugën gazetarisë sportive shqiptare në ato kushte të vështira e të paimagjinueshme për kohën, duket si një mal i pakapërcyeshëm për shumë nga këta picirrukë të sotëm që enden faqe gazetash të panumërta me shkarravitjet e tyre pa ndonjë vlerë të spikatur. Prandaj, do të doja që në këtë përvjetor të 100-të të shtetit tonë, emrat e atyre që shënjuan rrugën e kësaj gazetarie në Shqipëri, të përjetësoheshin me respekt, siç ka bërë bota e qytetëruar me njerëzit e saj të shquar, si p.sh. me Indro Montanelin në Itali, ku një park në mes të Milanos mban emrin e tij, apo të tjera raste ku mirënjohja për njerëzit e kulturës, që si emblemë të tyre kanë të vërtetën dhe fjalën e lirë, të ngrihet në piedestalin e asaj proverbiales së Napoleon Bonapartit, të cilën e citoi këto ditë, ambasadori i BE-së, Ettore Sequi...

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›