E Shtunë, 31 Tetor 2026

A do të jetë statusi faktor zgjedhor?

12-11-2012 / Nga Qemal Sakajeva

Kjo pyetje dikur kishte një përgjigje: Jo!
Por sjellja e tashme e opozitës do të detyrojë një të dytë: Po!
Ndërmjet heqjes së vizave, çështje e mbyllur BE - Shqipëri - qytetarë,  dhe marrjes së statusit të vendit kandidat, çështje BE - Shqipëri ende e papërfunduar plotësisht, ekziston një dallim thelbësor. Heqja e vizave, arritje tërësisht teknike, që varej vetëm nga mënyra se si do të punonte qeveria ndaj problematikës së shumtë  si kushte për t’u përmbushur, përcillte  ndjeshmëri të lartë tek çdo familje shqiptare dhe qindra mijëra emigrantë. Ajo përbënte një cak që do ta cekte thuajse çdo individ i këtij vendi, si  të zhuriturit për t’u takuar edhe të dëshiruarit për të udhëtuar. Dhe, si e tillë, heqja e vizave u shndrrua në faktor zgjedhor, si për qeverinë që bëri, si për opozitën që pengoi. Kurse marrja e statusit të vendit kandidat, duke qenë një proces politik, domosdoshmërisht një përgjegjësi dhe arritje  e përbashkët e pozitës dhe opozitës, cak thuajse fillues i një zhvillimi që zgjat, dhe pa një përfitim të përceptuar ngushtësisht si “a futet gjë në xhepin tim”, e zbeh ndjeshmërinë e qytetarëve ndaj problemit, vështrohet disi shumë më ftohtë, si një punë e politikës pa pjesëmarrjen e qytetarit, si të asaj që ushtron pushtetin dhe të asaj që kryen opozitën dhe, si e tillë, sjellja  e  qytetarit ndaj marrjes së stastusit është disi neutrale, e vetmjaftuar me kryesoren dhe të rëndësishmen - heqjen e vizave, mjaft që kjo të mos i ikë kurrë nga duart. Por, ky përceptim ka qenë deri më tani. Themi i deritashëm, pasi parashihet që, përceptimi qytetar do të ndryshojë me shpejtësi  nga një zhvillim gati i parrokshëm, ndaj pyetja  do të  ketë një përgjigje të dytë: po, marrja e statusit po kthehet në faktor domethënës zgjedhor. Opozita, fare pa mençuri,  po e shndërron çështjen m’u në fund, në një thikë me majë të mprehtë  kthyer nga vetja, nga një përllogaritje e gabuar nën ethet për ardhjen në pushtet.
Dhe pse?
Sepse, statusi u dha, me thirrjen që, dy projektligje dhe një rregullore, të miratuara në komisionet përkatëse, të votohen në seancë plenare të Kuvendit, deri më 20 nëntor dhe, në fillim të dhjetorit, BE të përmbyllë problemin që zgjat qysh prej tri vjetësh.
Sepse, rasti e solli që, dhënia e statusit Shqipërisë, të përkonte  me vitin e saj të madh të 100 - vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Ende askush nuk është gati të besojë që, ndjeshmëria atdhetare e opozitës, vetëm pak ditë para ditës së madhe, t’i nënshtrohet ambicies së egër të ardhjes me çdo kusht në pushtet, në vitin që vjen. Madje, nuk ta rrok as media që, çka bëri  Bashkimi Europian për Shqipërinë ende pa i përmbushur edhe tri kushtet, nuk është  e gatshme opozita ta bëj për vendin e saj për të votuar tri ligjet! BE i vuri Shqipërisë 12 kushte për të marrë statusin, opozita  i vuri Shqipërisë kundërkushte për katër vjet me radhë. Fillimisht përmes bojkotit: që të hynim në NATO, që të hiqeshin vizat, që të merret statusi, të zhbëheshin zgjedhjet 2009-të, ndërsa tani bllokim të statusit, po nuk u zhbë “çështja Fieri”.
Sepse opozita është e përfshirë nga kompleksi i mungesës së meritës në protagonizmin historik në kapërcyell: ajo bllokon në mënyrë të pamëshirshme, e joshur nga ideja që, të vijë në pushtet vitin e ardhshëm, dhe marrja e statusit të quhet dështim katërvjeçar i qeverisjes dhe merita e parë e saj që nga viti 1992.
Sepse, pas hapit që bëri BE, për meritë të Shqipërisë dhe nderim të përvjetorit të 100-të të Pavarësisë, ardhjes së Sekretares amerikane të Shtetit Hillary Clinton, duke e përmbushur detyrën e saj botërore katërvjeçare me “ëmbëlsirën”, përmbylljen me Shqipërinë, dhe thirrjen e jashtëzakonshme për bashkëpunim ndërmjet forcave politike, vështirë dikush të besonte që, që të nesërmen opozita të përsëriste: Pa marrë Fierin nuk e votojmë statusin! Edhe krahasimi më i gjetur çalon, por ky kushtëzim i zbritur pikiadë, nga  e përgjithshmja “Hap kutitë!” në lokalen “Çështja Fieri!”, tingëllon si kushtëzimi  i opozitës radikale në Serbi: Nuk e duam BE pa Kosovën!
Të gjitha argumentet, që hidhen e shqyrtohen, e kanë bërë më të mprehtë përceptimin popullor rreth marrjes ose jo të statusit dhe, nëse nuk do të jepet, fajtorit lehtësisht do t’i drejtohet gishti.  Kjo sjellje e opozitës faktorizohet menjëherë si ndëshkim në zgjedhjet e afërta: janë aq pak muaj nga dëmtimi, për të mos u harruar nga zgjedhësit. Opozita do të gjykohet, sepse ajo bllokoi për një mandat të tërë, sepse vërtetë u detyrua t’i votonte 9 kushtet nga 12, por ato i kreu nga trysnia e pashëmbullt e BE-së dhe kompromiset e pozitës. 9 kushtet e përmbushura vërtetë janë  vlerë e votimit të  përbashkët, por mbetja e tri kushteve të paplotësuara, për t’i thënë marrjes së statusit “PO” e plotë, i ndan meritat: ajo çfarë u dha në tetor nga BE shkon si meritë për  shumicën, kurse ajo që nuk votohet deri më 20 nëntor mbetet detyrim i opozitës, sepse  “PO”-së se BE opozita pritet t’i përgjigjet me “JO”-në e saj. Nëse nuk do të përmbyllet dhënia e statusit vetëm për mosvotim të tri ligjeve, kjo do ta dëmtonte Shqipërinë, por është e sigurtë që,  statusi do të kthehet në faktor zgjedhor dhe shqiptarët do ta ndëshkojnë opozitën. Sjellja do të jetë e ndërsjellë:  nuk më dhe, nuk të jap. Pse të mos kishte edhe një “ndëshkim”  të BE-së, me shpërfilljen  përfundimtare të politikës së bllokimit duke e  dhënë  statusin, me porosinë për t’u përmbushur në vijim tri kushtet  e mbetura, me qëllim që, fara e politikës së bojkotit dhe bllokimit, të mos gjejë kurrfarë kushtesh për t’u mbjellë në të ardhmen, nga asnjë forcë politike.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›