E Shtunë, 31 Tetor 2026

Messi e meriton Topin e Artë

Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique ka thënë se bashkëlojtari i tij, Lionel Messi e meriton të fitojë Topin e Artë, duke theksuar se sulmuesi argjentinas ka ndihmuar klubin të shndërrohet në “njërin prej më të mirëve në histori”.

Messi, 24 vjeç, do ta kuptojë të hënën pas ndarjes së çmimit në ceremoninë në Zurich nëse është bërë futbollisti i parë pas Michel Platinis, që fiton tri herë me radhë Topin e Artë.

“Është e qartë, Messi. Ai tashmë disa vite është duke luajtur në shkallë të lartë. Dhe Leo është më i miri në botë”, tha Pique gjatë një interviste të publikuar në të përditshmen katalan La Vanguarida të dielën, i pyetur se kush e meriton ta fitojë çmimin.

“Ai është duke e udhëhequr këtë ekip në njërin prej më të mirëve në histori. Falë tij ne kemi fituar shumë tituj. Është kënaqësi që e kemi me ne, ai luan sikurse kur ishte 13 vjeç, përveç se tani e bën në mënyrë profesionale dhe përballë futbollistëve më të mirë. Ne vetëm shpresojmë që ai të mbajë këtë shkallë për sa më gjatë që është e mundur”, shtoi Pique.

Messi fitoi çmimin inaugurues FIFA Topi i Artë – kombinim i Topit të Artë të France Footballit dhe çmimit të Futbollistit më të mirë të vitit në botë nga FIFA – vitin e kaluar, duke i marrë të dyja më 2009.

Në konkurrencën me yllin e Barcelonës kësaj radhe janë bashkëlojtari i tij Xavi dhe sulmuesi i rivalit Real Madrid, Cristiano Ronaldo, fitues i Topit të Artë më 2008.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›