Komisioni Parlamentar do të shqyrtojë memorandumin

Pas përfundimit të shqyrtimeve dhe analizave, Komisioni pritet të dalë me përgjigjen përfundimtare nëse memorandumi është në pajtim me fushëveprimin e FSK-së.
Memorandumi i nënshkruar në mes të Ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepit, dhe atij të FSK-së, Agim Çekut, sërish do të analizohet nga ana e Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri.
Kryetari i këtij Komisioni, Ahmet Isufi, i tha Radio Kosovës se memorandumi i nënshkruar nga dy ministrat është i diskutueshëm për arsye se është kundërshtuar nga Kryeministri dhe konsiderohet se ka disa lëshime që duhet të përmirësohen.
“Në memorandumin e parë, i cili është kthyer mbrapa, është thyer për t''u përmirësuar, prandaj edhe në memorandumin e dytë ka gjëra të cilat janë të ngatërruara në mes të dy ministrive, prandaj Komisioni do ta shqyrtojë dhe do t’i japë vlerësimet përfundimtare”, tha Isufi.
Ndërkaq, eksperti për çështje të sigurisë, Agim Musliu, potencon se nënshkrimi i këtij memorandumi është shumë i rëndësishëm sa i përket sigurisë së shtetit të Kosovës.
“Ky memorandum për mua tregon një seriozitet, i cili donë ta avancojë sistemin e sigurisë apo hallkën e sigurisë në këtë shtet, sepse çdo shtet serioz bashkëpunon në mes të këtyre dy ministrive”, tha Agim Musliu.
Sipas Musliut, çdo shtet që synon të jetë i avancuar, ka bashkëpunim të ngushtë në mes të këtyre dy ministrive për shkak të interdiciplinaritetit, apo funksionalitetit që veprojnë në aspektin e sigurisë si asaj të brendshme ashtu edhe asaj të jashtme.
Pritet të shihen konkluzionet e Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri të Kuvendit të Kosovës rreth këtij memorandumi. Fillimisht ky Komision nuk ishte pajtuar me draftmemorandumin në qershor të vitit të kaluar, i cili i jepte FSK-së detyra policore. /rtk/