Messi, model për Shaqirin

Për herë të parë në jetë, Xherdan Shaqiri do ta takojë sonte Lionel Messin. Futbollisti kosovar do ta ketë mundësinë t’ia zgjatë dorën futbollistit më të mirë në botë gjatë ndeshjes miqësore ndërmjet përfaqësueses së Zvicrës dhe asaj të Argjentinës, e cila do të fillojë në orën 20:30.
Për 20 vjeçarin ky takim do të jetë i veçantë. Njerëzit mund të luajnë me ose kundër Messit vetëm në Playstation. Ndërsa tash përfaqësuesi zviceran do ta shohë me sytë e tij fituesin e trefishtë të ‘Topit të Artë’.
“Kjo ndeshje është mjaft e rëndësishme dhe e veçantë për mua, edhe pse është vetëm një miqësore. Deri sot, Messin e kam njohur vetëm përmes televizorit, kështu që jam mjaft i lumtur që do të zbres në fushë me të dhe që do të luaj kundër tij. Të shohim se çka do të bëjë ai përpara syve të mi”, deklaroi Shaqiri në një intervistë për ueb faqen zvicerane sport.ch.
Kontingjenti i Zvicrës është vendosur në hotel Allegro në kryeqytetin Bernë, para kësaj sfide speciale. Edhe pse kanë gjatësi të njëjtë, 169 cm, Shaqiri e pranon se është vetëm kjo gjë që i bën bashkë këta dy lojtarë.
“Sa i përket sportit, jemi shumë larg”, është realist Shaqiri, 4 vjet më i ri. – “Mirëpo, ai është model imi brenda dhe jashtë fushës. Është një sportist që qëndron gjithmonë me këmbë në tokë dhe është mjaft profesionist”, shtoi futbollisti gjilanas.
Shaqiri tregon se nëse në fund të ndeshjes i jepet mundësia, do ta ndërronte fanellën me yllin argjentinas. Futbollisti i Baselit ndihet mirë që u grumbullua në Kombëtare dhe që do të luajë për Helvetikët, pas disa muajsh pauze.
“Mezi pres të luaj. Është ndjenjë e mirë t’i shoh shokët e Kombëtares sërish. Ndaj Argjentinës do të mundohemi ta bëjmë lojën tonë. Bëhet fjalë për një periudhë të rëndësishme para fillimit të kualifikimeve për Botërorin 2014, që do të nisin në vjeshtë te ne”, nënvizoi futbollisti i ardhshëm i Bayern Munichut.
Ai e vlerësoi lart Argjentinën, për të cilën thotë se është një skuadër mjaft ofanzive, që ka kualitet të madh në sulmin e saj. Edhe mbrojtjen e kundërshtarit e konsideron të fortë, por mendon se Zvicra duhet ta bëjë lojën e saj në Bernë dhe të dalë mirë nga kjo përballje.
Pas ndeshjes me Bayern Munichun në Ligën e Kampionëve, Shaqiri do ta shijojë një tjetër duel të rëndësishëm, atë ndaj Argjentinës. Sigurisht, këto sfida i shërbejnë në bërjen e përvojës.
“Jam i sigurt se po bëj eksperiencë të madhe në këto momente, si me Baselin, ashtu edhe me Kombëtaren. Jam po ashtu i lumtur që ndeshja e kthimit ndaj Bayernit në Allianz Arena do të ndiqet edhe më shumë. Unë po i shijoj këto momente”, përfundoi Shaqiri.