E Shtunë, 31 Tetor 2026

Messi si Maradona. Ne 100 ndeshje shenoi 103 gola

U cilësua si Maradona i ri, ndërsa më pas mori epitetin superior si “Mesia” e futbollit. Asnjë ekzagjerim. Shifrat janë në favor të Lionel Mesit, që në 100 ndeshjet e fundit me Barcelonën numëron 103 gola, ku dhjetë të fundit i ka shënuar në vetëm shtatë javët e parë të kampionatit spanjoll, me një mesatare të përgjithshme një gol në 82 minuta.

Numrat e “Pleshtit” argjentinas janë mbreslënës. Sezonin e shkuar realizoi 31 gola në kampionat, ndërsa në të gjithë sezonin me Barcelonën e ndali topin në rrjetat kundërshtare plot 53 herë. Por, ky sezon premton më shumë, duke parë që në vetëm shtatë ndeshje ka shënuar 10 gola dhe në asnjë rast nuk e ka bërë këtë nga pika e penalltisë.

Nëse llogariten sfidat në Ligën e Kampioneve, në Superkupën e Spanjë dhe atë të Europës, atëherë golat që mbajnë firmën e tij janë 16. Në ndeshjen e fundit kundër Santander në Primera Division, Mesi shënoi një dygolësh që e ngjitën atë në kuotën e 129 të realizuar në kampionat, shifra të tjera këto që e afrojnë sulmuesin argjentinas drejt një rekordi absolut në futbollin spanjoll. Golashënuesi më i mirë i historisë së Primera Division është Telmo Zarraonaindia me 251 gola të realizuar me Atletikon e Bilbaos nga viti 1940 deri më 1955. Rekord mëse i arritshëm nga Lionel Mesi, që sapo ka mbushur 24 vjeç.

Mosha e re i lejon të luajë edhe për shumëm kohë të tjera, ndërsa në Spanjë askush nuk pyet nëse do të thyhet ndonjëherë rekordi, por vetëm se kur do të regjistrohet rekordi i ri.

Nertan Prifti

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›