E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vllaznia qan rastin e Sukajt dhe dy pikët e lëna

Nga GJERGJ KOLA

Nëse sulmuesi do të shënonte në rastin në sekondat e fundit të ndeshjes me Tiranën, sot do të flitej ndryshe në Shkodër

Në realitet nuk ka merituar më tepër sesa barazimi në ndeshjen e fundit me Tiranën, megjithatë, kuqeblutë e Vllaznisë edhe sot, shumë orë pas përfundimit të saj, qajnë rastin e humbur në fund të ndeshjes nga Sukaj dhe, për rrjedhojë, edhe dy pikët e lëna. Mënyra si u interpretua takimi nga ana e shkodranëve, nuk ka qenë ajo më e mira, megjithatë, djemtë e Josës janë përpjekur që sidomos në pjesën e dytë, ta kalonin me sukses këtë kundërshtar, që jo më kot udhëhiqte kampionatin.

Golat e Sukajt dhe Petroviçit kanë qenë një kryevepër në vetvete dhe kanë marrë duartrokitjet e shumta të publikut shkodran, por pikërisht në momentet kur rezultati ishte 2-0, grupimi i tifozëve Vllaznit Ultras ka hapur një flamur të madh të Vllaznisë ku shkruhej: Ne pushtojmë, të tjerët mësojnë. Hapja e këtij flamuri në fakt duket se ishte tersi i skuadrës në fushë, sepse ndoshta lojtarët në vetvete menduan se ajo që ishte shkruar në flamur ishte e vërtetë.

Por nuk rezultoi kështu. Tirana goditi atëherë kur nuk pritej dhe kjo edhe për meritë të Vllaznisë, që lëshoi në lojë. Fillimisht gabon Vajushi, që humbet topin në mesfushë dhe pastaj mbrojtja e në fund portieri Vujadinoviç, që nuk u mor fare vesh çfarë donte të bënte në momentin e pësimit të golit. Ndaj tij këtë kampionat ka jo pak akuza për formë të dobët sportive, por duket se stafi drejtues nuk ka ndër mend ta ulë në stol në asnjë takim.

Kryevepra e Duros pastaj ishte ajo që vulosi rezultatin, i cili nuk do të zhbllokohej më, sepse Sukajn e kapi ngërçi në minutën e parë shtesë, kur përballë portierit Lika gabon në mënyrë fatale. Trajneri Josa pas ndeshjes nuk e ka fajësuar aspak atë, as portierin Vujadinoviç, as Vajushin, që u pa qartë se nuk ishte në një ditë të mirë. Ai barazimin ia faturoi fatit, por edhe kundërshtarit të fortë.

Duhet të jemi të kënaqur me barazimin për mënyrën si është zhvilluar ndeshja në tërësi, ka thënë ai. Nga ana tjetër, vetë Sukaj, duke folur për rastin e humbur në fund të ndeshjes, ka shpjeguar: Më vjen shumë keq që nuk e dërgova topin në rrjetë, por në momentin e gjuajtjes së tij, më ka kapur ngërçi dhe mezi i kam rënë topit. E doja shumë atë gol, por ky është futbolli dhe nuk ke se çfarë i bën.

Nga drejtues të klubit para ndeshjes u deklarua se fitorja në këtë takim ishte detyrë dhe shumë e rëndësishme për të ardhmen e skuadrës. Po tani që ndeshja nuk u fitua, por u mjaftua me një barazim, çfarë do ndodhë? Asgjë! Kuqeblutë do vazhdojnë normalisht stërvitjen, sepse në mesjavë kanë një ndeshje tjetër, atë për kupë me Elbasanin dhe në fundjavë tjetrën me Flamurtarin dhe duhet bërë gati menjëherë për to.

Në këtë mënyrë, duket se barazimi me Tiranën ka për tu harruar shpejt, sepse nuk ka shumë kohë me u marrë me të. Megjithatë, një analizë duhet bërë dhe drejtuesit e klubit e kanë të qartë këtë gjë.

Portieri Vujadinoviç, ai që duhet skanuar

Nëse ka lojtar te Vllaznia që duhet kaluar në sitë për formën jo të duhur sportive në këto javë të para të kampionatit, ai pa dyshim që është portieri malazez Miroslav Vujadinoviç. Nga një formë e shkëlqyer në sezonin e kaluar, teksa u evidentua si një nga portierët më të mirë të kampionatit shqiptar, këtë sezon ka gabuar jo pak, duke qenë edhe përcaktues në pësimin e disa golave nga Vllaznia. Ka gabuar në Kamëz në pësimin e golit të vetëm të ndeshjes, që solli edhe humbjen e kuqebluve.

Ka gabuar në Krujë, tek goli i parë i Kastriotit dhe gaboi jo pak edhe në golin e parë të Tiranës ditën e shtunë. Çfarë po ndodh me të? Këtë përgjigje mbase është mirë ta japë vetë portieri, por specialistë të ndryshëm mendojnë se këtë sezon malazezi i portës, duke mos pasur shumë konkurrencë, ia ka varur ndoshta edhe stërvitjes dhe në këtë mënyrë forma jo e duhur sportive po duket qartë nga ndeshja në ndeshje tek ai. Prandaj mbase është mirë që drejtuesit e skuadrës ta kalojnë në skaner atë fillimisht para se të vendosin ndoshta edhe për ta ulur në stol në ndonjë ndeshje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›