E Diel, 1 Nëntor 2026

Dinamo mbetet në krizë, vetëm barazim ndaj Shkumbinit

Nga Andi MATRAXHIU

Blutë qëndrojnë në vendin e fundit me -1 pikë. Dinamo-Shkumbini ndahen në paqe pa gola në Selman Stërmasi, gëzojnë peqinasit

Dinamo Shkumbini 0-0

Komenti

Dinamo dhe Shkumbini janë ndarë në paqe dje në stadiumin Selman Stërmasi. Një ndeshje e mërzitshme për sa i takon nivelit të shfaqur në fushën e blertë. Dinamo e shumë problemeve ka arritur të marrë një pikë, e cila do ta çojë në kuotën 1, pas aksionit të heqjes së tripikëve nga FIFA si pasojë e problemit Bodrusiç. Blutë janë munduar të gjejnë rrugën e rrjetës, por me Kulin të vetëm në dirigjim gjërat janë të vështira për ish-kampionët. Mesfushori kavajas bën gjithçka, mundohet të sakfrikohet, por loja e shokëve të skuadrës nuk është në nivelin e duhur. Shkumbini në krahun tjetër ka një rreshtim të mirë taktik, teksa kërkonte të kapte gafil me anë të kundërsulmit skuadrën e Dinamos.

Pjesa e parë Gjatë fraksionit të parë ka qenë një ndeshje e ekuilibruar, teksa të dyja skuadrat janë munduar të gjejnë rrugën e rrjetës, por pa mundur të arrijnë një objektiv të tillë.

Dinamo rrezikon disa aksione, ndërkohë që Sulkja tenton të shënoj për Shkumbinin, por është i pafat në disa iniciativa. Skuadrat ndeshen më shumë në mesfushë dhe kërkojnë të jenë më të rrezikshme me anë të goditjeve standarde. Një sfidë tepër e dobët, e cila se kalon në asnjë moment nivelin mesatar.

Pak tifozë në shkallët e stadiumit, ndërkohë që ata të ardhur nga Peqini (Besnikët) nuk ndalen asnjë sekondë duke mbështetur skuadrën e zemrës, por suporti i ultrasve nuk mjafton që peqinasit të gjejnë golin. Kapiteni Kuli është i vetëm në bordin e Nëndetëses.  Sulmuesit blu se kanë fuqinë e duhur për të përshëndetur portën e Kotorrit. Edhe në iniciativat e pakta ata janë ndalur nga portieri mik.

Pjesa e dytë Dinamo e nis me 2 zëvndësime të shpejta, duke hedhur në lojë forca të freskëta, si Imami dhe Shtini, ndërkohë që lënë fushën e lojës Arifaj në një ditë jo të mirë dhe Xhemalaj  Ndeshja fillon sërish duket e njëjtë. Dinamo që mundohet të shënojë dhe Shkumbini kundërsulmon.

Me këto zëvendësime sfida për blutë ndryshon disi. Imami i jep bukuri lojës së bluve, në një moment ai tenton edhe të shënojë, por duke qenë i pafat. Më vonë trajneri Sejdini hedh në fushë edhe Lalën për Asllanin. Ndërsa peqinasit me anë të trajnerit Mile bëjnë lëvizjet e tyre. Aktivizohet Çutra, që më pas ia lë vendin njërit prej vëllezërve Magani.

Me gjithë iniciativat e të dy kampeve, ku dinamovitët janë më ngulmues, sfida është mbyllur pa gola. Një ndeshje e mërzitshme, e cila shpeshherë kalonte në ironi edhe në radhët e tifozerisë vendëse. Shkumbini, duke parë pozitën në tabelën e klasifikimit dhe emrin e kundërshtarit që ka përballë, pavarësisht gjendjes aktuale, mund të ketë dalë i lumtur nga Qemal Stafa, por krejt e kundërta për vendësit, të cilët nuk kishin rrugë tjetër veç fitores.

Policia ndalon konferencën për shtyp

Në përfundim të ndeshjes së djeshme, gazetarët e mediave të ndryshme janë afruar në ambientet e brendshme të stadiumit Selman Stërmasi, por me një urdhër krejt të pakuptimtë të nëndrejtorit të Policisë së Qarkut Tiranë, Gjergj Jorgo, forcat e rendit kanë dëbuar jashtë stadiumit të gjithë gazetarët e pranishëm. Madje në dalje të stadiumit është ndërtuar edhe një kordon me policë për të mos lejuar gazetarët të afrohen në ambientet e brendshme për të zhvilluar konferencën normale për shtyp, sipas rregullores së Federatës Shqiptare të Futbollit.

E gjithë kjo histori aspak e këndshme, pasi edhe opinion i gjerë sportiv shqiptar kërkon të dëgjojë mendimet profesionale të dy trajnerëve respektivë, ka ndodhur në syrin e shefit të garave, Ilir Shulku, i cili rrinte duke bashkëbiseduar me eprorët e rendit për qejfin e tij dhe nuk denjonte të jepte urdhër, apo të bashkëpunonte që konferenca për shtyp të zhvillohej normalisht. Me të drejtë trajneri Faruk Sejdini, pasi doli nga stadiumi, iu përgjigj në këtë mënyrë gazetarëve të pranishëm: Kur askush smë kërkoi intervistë në ambientet e brendshme të stadiumit, unë nuk kam ndër mend tjua jap në rrugë intervistën.

Të veçanta

- Në një moment në tribunën VIP ka pasur probleme midis dy tifozerive. Pas ndërhyrjes së forcave të rendit, edhe pse disi me vonesë, situata është vendosur në kontroll. Por ka pasur edhe shoqërime në komisariat.

- Mbrojtësi i Dinamos, Renato Malota, nuk është aktivizuar si pasojë e gjendjes gripale që po kalon.

- Në stadium ishin të pranishëm një numër i vogël tifozësh, ku nuk mungonin edhe miqtë, të përfaqësuar nga tifo-grupi Besnikët, të cilët nuk kanë ndaluar për 90 minuta së mbështeturi skuadrën e tyre.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›