E Shtunë, 31 Tetor 2026

Messina, Berlusconi premton 1 mld euro për zonat e dëmtuara

Kryeministri italian Silvio Berlusconi premtoi dje një shumë prej një miliardë eurosh ndihmash për zonat e kërcënuara nga rrëshqitjet e tokës, pasi reshjet e dendura dhe rrëshqitjet shkaktuan vdekjen e të paktën 22 personave në Sicili.
Moti i keq dhe rrëshqitjet e tokës shkatërruan qindra shtëpi dhe rrugë javën e kaluar në rajonin e Messina-s.
Bilanci i të vdekurve pritet të rëndohet më tej, pasi të paktën 40 persona të tjerë rezultojnë ende të zhdukur, ndërsa më shumë se 500 të tjerë kanë mbetur të pastrehë.
"E kishim parashikuar këtë katastrofë, por reshjet ishin më të dendura nga sa kishim parashikuar,"- deklaroi Berluskoni gjatë vizitës në zonën e fatkeqsisë.
Ai theksoi gjithashtu se shpresonte në krijimin e një fondi me vlerë më të lartë se një miliardë euro për zonat e kërcënuara nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës, duke filluar me rajonin e Messina-s.
Ky fond do të përdoret për masa mbrojtëse, si ndërtimi i argjinaturave të lumenjve dhe barrierave kundër përmbytjeve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›