E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mësuesit, kundër testimit si maturantët

Afrimi i kohës së provimit të ngritjes në kategori sjell reagimet e para

Mësuesit, që pas një periudhe të caktuar pune në arsim, duan të ngrihen në kategori, domosdoshmërisht, i nënshtrohen një provimi me rregulla të ngjashme me Maturën Shtetërore. Ndonëse, suksesi në këtë provim garanton për ta më shumë para në rrogën mujore, për shumë mësues ky provim si nxënësit e tyre konsiderohet si një ofezë profesionale. Kjo, pasi disa prej tyre e shohin atë si një shenjë mosbesimi nga ana e drejtuesve të Ministrisë së Arsimit. “Ne përveçse jemi trajnuar në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat e ministrisë, na bëhen kontrolle pas kontrollesh dhe është krejt e pakuptimtë që t’i nënshtrohemi një provimi me shkrim njësoj si nxënësit tanë”, shprehet një mësuese në një gjimnaz të kryeqytetit. Po kështu, ka të tjerë arsimtarë që thonë se një intervistë përballë një komisioni specialistësh do të ishte më se e mjaftueshme për të testuar apo vlerësuar aftësitë e tyre profesionale. Por, duket se të një mendjeje nuk janë përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit, të cilët nuk kanë ndërmend që të ndryshojnë asgjë në rregulloren e posaçme të hartuar pikërisht për provimin e testimit të mësuesve.

Rregullat

Testet hartohen nga specialistët e Qendrës Kombëtare të Trajnimit dhe Kualifikimit (QTKA), dhe vlerësohen po aty. Provimet mbikëqyren nga administratorë të jashtëm. Gjithashtu, rregullorja parashikon edhe masa ndaj mësuesve, administratorëve, vlerësuesve, apo vëzhguesve për parregullsitë gjatë provimit të kualifikimit. Pas daljes së rezultateve ka edhe një afat ankimimi. Provimeve të kualifikimit i nënshtrohen vetëm punonjësit të cilët plotësojnë vjetërsinë e punës: nga 5 deri në 9 vjet, për shkallën e tretë të kualifikimit; nga 10 deri në 19 vjet, për shkallën e dytë të kualifikimit; 20 e më shumë vjet, për shkallën e parë të kualifikimit. Në bazë të këtij kategorizimi, mësuesi përfiton shtesë në pagë, që për kategorinë e tretë është plus 10% për të dytën plus 10% dhe për të parën plus 20%. Mësuesi i cili nuk “kalon” këtë provim, nuk kualifikohet për nivelin përkatës që ka kërkuar, por ka mundësi të aplikojë sërish vitin e ardhshëm.

Procedurat

Procesi i testimit me shkrim për efekt atestimi, zhvillohet në Drejtoritë Arsimore Rajonale të vendit. Provimi mbikëqyret nga administratorë, punonjës arsimorë të DAR të qarqeve të tjera. Kështu, në Tiranë, administratorët janë mësues të një qyteti tjetër, të trajnuar nga QTKA. Në të gjitha DAR-et procesi vëzhgohet edhe nga të deleguarit e MASH-it. Sipas përfaqësuesve të MASH-it, ky sistem i motivon mësuesit që të rrisin standardet e tyre të mësimdhënies. Ata mësues që kualifikohen si fitues sigurojnë ngritjen në kategori dhe shtesën përkatëse në pagë. Ata pohojnë se këto provime u mundësojnë drejtuesve të arsimit njohjen e nivelit profesional real të mësuesve, zotërimin e programit lëndor dhe anën shkencore të lëndës.

Urdhri

Në çdo vit mësimor, me urdhër të posaçëm të ministrit të Arsimit zhvillohen veprimtaritë për shkallët e kualifikimit të punonjësve që kanë një vjetërsi të caktuar në arsim. Këta kalojnë në një provim para komisioneve lokale dhe fitojnë një nga tri shkallët e kualifikimit, të cilat u sigurojnë shtesa përkatëse page. Programet e provimeve u kërkojnë pjesëmarrësve në provim të dëshmojnë kompetenca të caktuara profesionale. Mësuesve-kandidatë për kualifikim nuk u duhet të lexojnë ndonjë literaturë profesionale për provimin e pritshëm. Ata thjesht duhet të dëshmojnë sa zotërojnë programin lëndor dhe anën shkencore të lëndës. Veç të tjerave, mësuesve u duhet të mbledhin pikë (kredite) gjatë trajnimeve të tyre, por edhe të sigurojnë pikë (kredite) të tjera për cilësinë e mësimdhënie-mësimnxënies brenda në klasë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›