E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hiqen sot statujat e Apolonisë

Specialistë të ardhur nga Gjermania do të ndihmojnë për zhvendosjen e statujave. Ky veprim parandalon një dëmtim të mundshëm të tyre në rast të shembjes, ndërkohë që nga Instituti i Monumenteve nuk ka ardhur asnjë përgjigje konkrete për ndërhyrje

Statujat që deri dje kanë qenë të ekspozuara në Portikun e Apolonisë, do të zhvendosen. Dëmtimet e konsiderueshme të ditëve të fundit, si pasojë e rrëshqitjeve të dheut, kanë bërë që drejtuesit të përgatiten për më të keqen. Pas zhvendosjes së objekteve më të vogla si pitosa, sarkofagë apo objekte qeramike, dje kanë mbërritur disa specialistë gjermanë që do të merren me statujat. Kjo masë parandalon dëmtimin e tyre në rast të ndonjë shembjeje të mundshme të Portikut. “Statujat do të vendosen në një vend më të sigurt në depot e Apolonisë”, shprehet drejtori i Parkut Arkeologjik, Marin Haxhimihali. Në fakt, vitet e fundit Haxhimihali e ka ngritur vazhdimisht problemin e çarjes së vazhdueshme të kësaj pjese monumentale të Apolonisë, e cila është rrezikuar gjithnjë e më shumë nga shirat e ditëve të fundit. Përveç Portikut, shembje dhe dëmtime të mëdha kanë ndodhur në murin rrethues të parkut, si dhe të një zonë të re arkeologjike, e cila është gërmuar muajt e fundit të vitit 2009. Drejtori i Parkut Kombëtar Arkeologjik të Apolonisë, Marin Haxhimihali, ndërsa ka dhënë javën e kaluar alarmin e shembjes së muzeut, ka vijuar gjatë kësaj jave me mbrojtjen e monumenteve dhe vlerave arkeologjike, të cilat qëndronin të ekspozuara në muzeun aktualisht të rrezikuar nga shembja. Mësohet se drejtori Haxhimihali ka mundësuar largimin e pjesës më të madhe të objekteve të zbuluara në Apoloni drejt Institutit të Monumenteve në Tiranë. Gjithashtu, punonjës në Parkun e Apolonisë tregojnë për “Shqip” se të martën ka mbërritur nga Tirana një ekip i Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik, i cili ka marrë në mënyrë të organizuar një numër të madh objektesh me vlerë për ruajtjen e tyre. Por, edhe pse drejtuesit e parkut shprehen se largimi i vlerave arkeologjike ka për qëllim ruajtjen e tyre, specialistë arkeologjikë të kësaj fushe shprehen se Apolonisë po i ikën një pjesë e identitetit, e cila tërhiqte turistët. Rikthimi i objekteve të zhvendosura drejt Tiranës shihet si mjaft i largët, ndërsa nuk është premtuar ndërhyrja në infrastrukturën e dëmtuar të muzeut, portikut dhe murit rrethues. Drejtori Marin Haxhimihali ka thënë se prej 25 vjetësh nuk është ndërhyrë në infrastrukturën e rënduar të muzeut arkeologjik, i cili sot ndodhet në prag të shembjes së plotë. Prej disa vjetësh në portikun ku ekspozohen gjetjet në qytetin antik të Apolonisë janë konstatuar çarje arkitektonike. Ky portik ndodhet brenda perimetrit të manastirit. Kjo ka ardhur si rezultat i gërmimeve që janë bërë në vitet ‘90 në pjesën e pasme të oborrit dhe brenda tij. Gërmimet kanë dobësuar strukturat mbajtëse dhe për rrjedhojë çdo vit konstatohen shkarje të këtij portiku. Në dëmtimet e portikut duken qartë të çara në dyshemenë kryesore, si dhe në mure. Për këtë situatë është njoftuar edhe Instituti i Monumenteve që e ka për detyrë mirëmbajtjen dhe restaurimin e monumenteve, por sipas drejtorit, për fat të keq, nuk është marrë asnjë përgjigje konkrete. Shumëkush nga vizitorët që mund të shohë brenda këtij portiku, do të haste një të çarë prej 30 metrash në të gjithë dyshemenë dhe muret, e cila kërkon urgjentisht ndërhyrje nga strukturat përkatëse ku ndodhet ky portik. Lidhur me këtë problem, Marin Haxhimihali shprehet se duhet një punë kolosale, e ngjashme me restaurimin e Nimfeut, i cili ndodhet në pjesën tjetër të qytetit. “E njëjta gjë është edhe me këtë portik, pasi është e vështirë që me mjetet që ne kemi në dispozicion, të arrijmë ta restaurojmë, ndërkohë që nga Instituti i Monumenteve po vonon përgjigjja e specializuar, çka do të thotë që ky portik nga shirat që mund të fillojnë përsëri edhe mund të shembet”, thotë drejtori Haxhimihali.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›