Gul: Nuk ka asnjë grusht shteti dhe arsye për të pasur frikë
Pas një takimi me shefin e forcave të armatosura, Presidenti turk, Abdullah Gul, deklaroi se të gjitha tensionet e deritanishme në lidhje me të ashtuquajturin “grusht ushtarak” në vendin e tij do të zgjidheshin brenda kuadrit ligjor. Ai e bëri një deklaratë të tillë pas një takimi me Kryeministrin, Erdogan dhe shefin e forcave të armatosura. Tensionet mes qeverisë dhe ushtrisë u rritën shumë ditët e fundit në vijim të një vale arrestime dhe një grushti shteti që përflitet se ishte organizuar në sferat më të larta të pushtetit. Për sa u përket arrestimeve bëhet fjalë për 40 oficerë të vënë në pranga të hënën. Shefi në pension i forcave ajrore, Ibrahim Firtina dhe ish-shefi i marinës ndodheshin në gjykatë dje në mëngjes për t’u pyetur në lidhje me situatën dhe ndoshta mund të akuzohen dhe të burgosen. Për sa i përket Presidentit dhe Kryeministrit, pas disa orë bisedimesh ata kanë dalë për një konferencë shtypi për të siguruar vendin se situata është nën kontroll dhe nuk ka arsye për t’u shqetësuar. “Dua të theksoj se qytetarët duhet që të jenë të qetë se problemet në axhendë do të zgjidhen brenda mundësive të ofruara nga kuadri ligjor dhe brenda Kushtetutës”, ka deklaruar Presidenti. Ndërkohë, ushtria ka mohuar çdo thashethem për një grusht shteti të dështuar, por ka vazhduar me mbledhjet për të sqaruar situatën pas arrestimeve të shumta. Për sa i përket qeverisë turke, ajo ndodhet para testit të parë të këtyre përmasave përpara autoriteteve shumë të fuqishme që kanë ushtarakët në këtë vend. Ushtria turke ka përmbysur, apo ka detyruar të heqin dorë nga pushteti 4 qeveri të ndryshme që nga viti 1960. Rasti më i fundit ishte ai i vitit 1997. Megjithatë, shefi aktual i ushtrisë ka ngulur këmbë se grushtet e shtetit janë një pjesë e së shkuarës së vendit. Përmasa e operacioneve ushtarake të së hënës kundër shumë zyrtarëve të lartë të ushtrisë ka qenë e paprecedentë. Mes të arrestuarve bëjnë pjesë dy admiralë, tre admiralë të ushtrisë, por tashmë në pension dhe tre gjeneralë në pension. Një numër i madh prej tyre ndodhen në burg, ndërsa të tjerë janë lënë të lirë. Një pjesë e të arrestuarve aktualë janë vënë vitet e fundit disa herë në pranga për të njëjtat akuza dhe disa syresh kanë vuajtur edhe dënimin për akuzat e organizimit të grushteve të shtetit. Akuzat për një veprimtari të tillë datojnë vitin 2003. Lajmet për një grusht shteti të mundshëm u shfaqën fillimisht në një gazetë liberale. Në artikullin e saj thuhej se ishin zbuluar dokumente në lidhje me planet për bombardimin e dy xhamive në Stamboll dhe provokimin e Greqisë për të shtënë ndaj një avioni turk në detin Egje. Ushtria ka deklaruar se bëhej fjalë vetëm për ushtrime dhe manovra ushtarake. Sipas analistëve, një goditje e tillë mbi ushtrinë do të kishte qenë e paimagjinueshme disa vjet më parë dhe se ato që po ndodhin s’janë veçse episodi i fundit i një lufte të gjatë për pushtet mes establishmentit nacionalist e shekullor dhe partisë në qeveri.
#