E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trashëgimtarët e Nabokovit

Pothuajse jam në përfundim të darkës me shkrimtarin Gary Shteyngart në një kafe në pjesën lindore të Manhatanit. Ende nuk e kam gjetur kurajën t‘i bëj një pyetje të rëndësishme. Problemi është se nuk arrij të gjej një mënyrë për të mos u dukur fyese. Dëshiroj ta pyes nëse e ka vënë re se shkrimtarët amerikanë, me origjinë ruse, sidomos ata që ashtu si ai shkruajnë veçanërisht për Rusinë dhe "russitá", janë shumë në modë.

Ndërkohë porosisim diçka tjetër dhe gjej momentin për të hyrë në temë. Shteyngart bën një pushim të shkurtër. "Po, në fakt mund të jetë një mbidozë", përgjigjet, ndërsa vështron me kujdes veprimin e një personi, i cili merr në dorë një libër. Një brez rusësh që është rritur në Shtetet e Bashkuara është maturuar dhe ka filluar të tregojë eksperiencat e tij. Dhe nëse sot ka lindur një modë botuese, është i gjithi faji i Shteyngart. Suksesi i tij u arrit me librin "Manuali i autorit rus" i publikuar në vitin 2002. E njëjta gjë kishte ndodhur edhe me shkrimtarët e Azisë Jugore, pas publikimit të librit "Zoti i gjërave të voglave", i autorit Arundhati Roy, më 1997-ën.

Vetëm në 2008-ën u publikuan librat: "What happened to Anna K." e autores Rina Reyn ("Çfarë i ndodhi Ana K." është një ribotim aktual i tragjedisë klasike të Tolstoit, e përshtatur në komunitetin hebreo-rus të Nju Jorkut, duke përfshirë problemet e besimit, të identitetit dhe komunitetit), "Red princess" (Princesha e kuqe) e Sofia Zinovieff, e cila tregon historinë e nënës së autores së librit, që ishte një princeshë komuniste dhe "One more year" e autores Sana Krasikov, një përmbledhje tregimesh, përqendruar më tepër te gratë ruse dhe ato gjeorgjiane. Por publikimi i librave të suksesshëm nuk merr fund këtu: pas pak kohësh do të publikoheshin "My life at first try" i autorit Mark Budman, (vepra e parë autobiografike e emigrantit hebreo-rus) dhe "On patriarch‘s ponds" e Ilana Ozernoy, një kronikë e jetëve të njerëzve të thjeshtë në Rusinë e Vladimir Putinit, ndërthurur me ngjarje personale të autores, vajza e një disidenti sovjetik.

Por çfarë qëndron në origjinën e kësaj tendence? Le të themi se amerikanët kanë dy fiksime të mëdha letrare: amatori që përshkruan vendin nga një këndvështrim i ri dhe shkrimtari me një histori private, e përshtatshme për treg. Çfarë ka më shumë një autor ekzotik, shakaxhi, por edhe prekës që ka në gjak pak Çehov dhe Dostojevsk? Apo një autor tjetër, që i duket sikur ka arritur fitore vetëm se ka shkruar një libër në anglisht? Të dy dëshirojnë të arrijnë suksesin, njësoj siç ndodhi me "Gjuetarin e balonave", i cili u bë një bestseller, sepse njerëzit ishin kuriozë të njihnin historinë e Afganistanit bashkëkohor. Tani amerikanët shfletojnë letërsinë ruse për të parë se çfarë ndodh atje.

Nëse Gary Shteyngart dhe Keith Gessen kanë ardhur në Amerikë që të vegjël, Lara Vapnyar dhe Anya Ulinich janë transferuar kur ishin të rritura. Që të katërt, duke përmendur një shprehje të Shteyngart, "ndihen si në shtëpi në të gjitha anët e Atlantikut".

Por si e jetojnë këta shkrimtarë faktin që janë anëtarë të një klubi vetëm falë biografisë së tyre? Ulinich nuk e pëlqen këtë grupim. Ajo ka ardhur në Shtetet e Bashkuara kur ishte adoleshente, si protagoniste e romanit "Petropolis". "Jam 34 vjeçe, 17 i kam kaluar në Moskë dhe 17 në Shtetet e Bashkuara. Kjo simetri më pëlqen". Pak kohë më parë, Anya zbuloi diçka që nuk i pëlqeu: leksioni ku do të merrte pjesë së bashku me Lara Vapnyar dhe Sana Krasikov quhej "Rocking the gulag". Ngjarja ishte prezantuar si një festë për prozën letrare hebraike e ndërthurur me muzikë dhe vodka. "Fjala gulag u referohet kampeve sovjetike të burgosjes mes 1917-ës dhe 1991-shit", thotë Ulinich. "Nuk e kuptoj se ç‘lidhje kam unë me këtë. Mendoja se do të lexoja një tregim që nuk fliste për Rusinë, por që papritur, ndërsa e lexoja ishte hebraik". A ekzistojnë vallë matematika dhe skulptura hebraike? Apo është diçka e pavullnetshme, njësoj si të kesh hundë të madhe dhe flokë kaçurrela? Pra, nëse dikush është hebre, atëherë ai e shkruan automatikisht letërsinë hebraike.

Vapnyer është rasti më interesant. Edhe pse ka kaq kohë që jeton në Amerikë, thotë se ka mbetur një ruse. Anglishtja e saj vazhdon të ketë disa probleme, por ajo e ka gjetur një mënyrë të thjeshtë për ta ndrequr këtë defekt, duke joshur edhe "New Yorker". Dhe kështu ka bërë karrierë. "Nuk kisha shkruar kurrë më parë romane, në asnjë gjuhë të botës. Anglishten e flas me një theks monstruoz, duke bërë një mal me gabime", shpjegon ajo. Por përveç famës, ajo ka bërë edhe armiq. "Kur tregimi im i parë u publikua te ‘New Yorker‘, një miku im amerikan më pyeti: ‘Çfarë duhet të bëj, që të dal te ‘New Yorker‘? Të shtirem sikur nuk e flas mirë anglishten?‘".

Ndërsa Keith Gessen, nga ana e tij, refuzon të intervistohet si shkrimtar me origjinë ruse. Sipas tij, romani i parë (që ka si protagonistë dy emigrantë rusë dhe flet në veçanti për revolucionin e tetorit) nuk i mjafton të jetë pjesë e grupit. "Distanca ime nga realiteti amerikan është minimal. Mendoj se kultura ruse është më e bukura në botë", thotë pasi ka treguar fëmijërinë e tij, që i vinte turp nga prindërit, sepse nuk e flisnin mirë anglishten. "Gjatë gjithë fëmijërisë sime jam përpjekur të fsheh çdo gjurmë të Rusisë", përfundon ai.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›