E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mësuesit, ushtrimi i profesionit nëpërmjet licencës

05/02/2010  Kontrata e re kolektive e punës, përcakton një sërë ndryshimesh për rekrutimin e arsimtarëve
Për të dhënë mësim në një lëndë të caktuar, mësuesve do t’u kërkohet licenca e profesionit, e cila do të lëshohet pas testimit të njohurive të çdo mësuesi si për arsimin e detyruar, ashtu edhe për shkollat e mesme. Kontrata e re kolektive e punës, që do të nënshkruhet brenda një harku të shkurtër kohor, parashikon një sërë ndryshimesh në sferën e punësimit të arsimtarëve. Lidhur me këto ndryshime, kreu i Sindikatës së Arsimit, Xhafer Dobrusha, ka pohuar se mësuesit do të merren në punë nëpërmjet konkursit, i cili do të zhvillohet mbi bazën e disa kritereve të caktuara. Për marrjen e licencës, mësuesi duhet të ketë kryer minimalisht një vit mësim dhe maksimalisht 4 vjet mësim në arsimin përkatës. Një komision specialistësh do të vlerësojë aftësitë e çdo arsimtari, dhe më pas do të lëshojë licencën për mësuesin. Nëse mësuesi fillestar nuk aplikon për katër vjet rresht për titullin “Mësues”, ai e humbet të drejtën e ushtrimit të profesionit të mësuesisë. Gjithashtu, është përcaktuar që paga e mësuesit fillestar të jetë shumë afër asaj të mësuesit të shkallës pasuese të karrierës (mësues specialist), në mënyrë që të mos defavorizohet mësuesi fillestar. Kështu, një ndër pikat kryesore që është diskutuar për t’u përfshirë në kontratën e re të punës është kohëzgjatja e ushtrimit të profesionit, e cila pritet të zgjasë nga katër deri në tetë vite. Ky ndryshim, sipas Dobrushës, synon që të shmangë problemet e lindura gjatë viteve të fundit me lëvizjet e vazhdueshme që u bëhen mësuesve sa nga një shkollë në një tjetër çdo fillim viti akademik. Gjithashtu, kontrata e re parashikon edhe shtimin e kohës për dhënien e emërimit të mësuesve. Për këtë është menduar që të jepet emërim definitiv për të gjithë mësuesit që plotësojnë kriterin një vit stazh pune. Deri në miratimin e kësaj kontrate, mësuesit do të vijojnë të punojnë me kushtet ekzistuese, për të cilën është nënshkruar një marrëveshje gjatë ditës së djeshme. Një pikë tjetër e propozuar nga Sindikata e Arsimit për kontratën e re të arsimtarëve është rritja e kërkesave për përgatitjen dhe kualifikimin e mëtejshëm të mësuesve, e cila do të jetë dhe një ndër kriteret kryesore që do të shërbejë për testimin e njohurive të tyre. Sipas të dhënave të raportuara, rezulton se janë të punësuar me emërim definitiv deri më tani rreth 36 mijë arsimtarë, të cilët do të përfshihen në konkursin e marrjes së licencës menjëherë sapo të miratohet kontrata e re kolektive e punës.
Ndarja e titujve
Tashmë është përcaktuar edhe skema bazë e ndarjes së titujve, duke filluar nga “Mësues fillestar” (sapo ka marrë diplomën fillestare të mësuesisë), “Mësues”, “Mësues i licencuar”, “Mësues specialist” dhe më e larta “Mësues mjeshtër”. Secila shkallë do të përshkruhet nga lista specifike e standardeve. Titulli i karrierës jepet për një lëndë ose fushë lëndore dhe për një grup-moshe të nxënësve. Një mësues mund të aplikojë për titull karriere për më shumë se një lëndë.
Licenca
Për marrjen e licencës mësuesi duhet të ketë kryer minimalisht një vit mësim dhe maksimalisht 4 vjet mësim në arsimin përkatës. Nëse mësuesi fillestar nuk aplikon për katër vjet rresht për titullin “Mësues”, ai e humbet të drejtën e ushtrimit të profesionit të mësuesisë. Gjithashtu është përcaktuar që paga e mësuesit fillestar të jetë shumë afër asaj të mësuesit të shkallës pasuese të karrierës, në mënyrë që të mos defavorizohet mësuesi fillestar.
Dobrusha shton se në kontratën e re kolektive të punës do të shikojmë mundësinë e uljes së viteve të marrjes së vjetërsisë së punës nga 5-10-20, që është aktualisht, në më pak vite”. Kjo e fundit përcakton edhe rritjen e pagave që do të përfitojnë mësuesit në bazë të vjetërsisë. Ndërsa për sa i përket sjelljes së mësuesve në ambientet e shkollave, Dobrusha bën të ditur se është përgatitur dhe drafti për Kodin e Etikës së mësuesit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›