Berisha-Rama pa tolerime ne tryezen e Topit
05/02/2010 PS starton turin e radhës për hetimin e zgjedhjeve
Hysi: Kushtetuta s’ndalon hapjen e kutive
Oli Xhilaga
Kampi rozë ndërmerr turin e radhës nëpër Shqipëri, për të evidentuar më nga afër krizën që ka mbërthyer vendin. Njëkohësisht, duke iu referuar krizës së gjithanshme, kjo në konceptin opozitar, ky kamp do të japë dhe arsyet se pse Partia Socialiste ka ndërmarrë dhe do të vijojë t’i rimarrë protestat në të gjithë vendin. Kështu, nisur nga ky gjykim mbi situatën në vend, dje Partia Socialiste startoi takimin e parë me përfaqësuesit e saj, për të paraqitur ndaj publikut qëndrimet, kërkesat, si dhe hapat që do të ndjekë në vijim kjo parti, përkundrejt mazhorancës dhe Parlamentit. Por kësaj radhe lidershipi socialist preferoi që të performonte qëndrimin e tij përmes medias. “Shqipëria në krizë, arsyet e protestës” do të jetë slogani, që do të shoqërojë udhëtimin shpjegues në të gjithë Shqipërinë lidhur me gjendjen e vendit me krizën, si edhe të gjitha arsyet e protestës së socialistëve.
“Kushtetuta nuk thotë asnjë fjalë që të hapen apo të mos hapen kutitë, por flet diçka për komisionet hetimore parlamentare, ku sanksionohet e drejta e opozitës për të kërkuar komision hetimor. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është një vendim, i cili nuk përmend fare hapjen apo moshapjen e kutive”. Ky është argumenti i lëshuar dje nga Partia Socialiste, lidhur me kërkesën e saj për hetimin parlamentar të zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit. Një qëndrim i tillë u bë i ditur gjatë këtij takimi nga deputetja e PS-së, Vasilika Hysi. Sipas saj, në këtë vendim përmenden katër çështje: e para, roli i komisionit hetimor parlamentar, pra sanksionohet që kur opozita kërkon komision parlamentar, ai duhet të ngrihet dhe për këtë s’duhet të ketë diskutime. “Lidhur me objektin nuk thuhet nëse nuk hetohen kutitë. Sanksionon hetim për çështje me interes të veçantë dhe të gjithë biem dakord se transparenca e zgjedhjeve është një çështje për interes të veçantë. Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se komisioni hetimor parlamentar duhet të thërrasë institucione që t’i paraqesin atij dokumentacionin e kërkuar. Nëse duam një komision parlamentar për zgjedhjet, dokumentet janë në kutitë e votimit, fletët janë në kutitë e votimit”, deklaroi ajo. Ndërkohë, ndalur pikërisht në mesazhin e lëshuar nga vetë kreu socialist Edi Rama, i cili bëri shpjegimet përkatëse, u pa qartë dhe një herë tjetër se PS-ja nuk tërhiqet nga rruga e bojkotit, pra e protestës, pa hapjen e kutive. Por një qëndrim të tillë Rama nuk e cilësoi si një moment që kushtëzon negociatat mes PS-së dhe PD-së. “Nuk duam kutitë, por shkojmë në tryezë për të hapur kutitë”, u shpreh Rama, lidhur me dialogun që pritet të zhvillohet mes palëve. Por po në të njëjtën linjë, Rama nënvizoi se “ne shkojmë në tryezë me dëshirën që çështjen ta zgjidhim në tryezë, shkojmë në tryezë për dialog, që çështja të zgjidhet me dialog. Duam ta ndërpresim bojkotin, por kur të kemi garanci. Si mund të shkojmë në zgjedhjet e ardhshme, kur dimë që në zgjedhjet paraardhëse garancia u gris?”
Largimi i Ramës?
“Hetimi nuk ka qëllim ndryshimin e rezultatit, por unë jam kryetar i rizgjedhur i PS-së, pasi dhashë dorëheqjen, dhe në rast se rikandidova duke u kërkuar socialistëve në të gjithë Shqipërinë të gjykojnë idenë time, ishte vetëm sepse unë për asnjë moment nuk kam dyshuar që PS-ja i ka fituar zgjedhjet, edhe pse nuk është zgjedhur. Në rast se unë do të kisha dyshuar qoftë edhe një moment të vetëm që ishte vota e shqiptarëve që kishte refuzuar projektin tonë politik, dorëheqja ime do të ishte pa kthim. Ndërkohë që rizgjedhja ime është bërë me një propozim të thjeshtë: dua votën tuaj, për të çuar deri në fund një betejë për liri dhe demokraci në këtë vend, duke bojkotuar Parlamentin”, u shpreh Rama gjatë fjalës së tij, duke qenë i prerë në këtë mënyrë për qëndrimin e tij, pavarësisht rezultatit që mund të dalë nga hapja e kutive, nëse do të realizohet një proces i tillë.
Arsyet e krizës
“Kriza në Shqipëri është një krizë tërësore, që po rrënon ekonominë, po rrënon demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Ne jemi gati të flasim për të gjitha pikat që përfshijnë jo vetëm kutitë, por edhe transparencën lidhur me gjithë presionin dhe deformimet parazgjedhore dhe paszgjedhore, që nga elementi i cenimit të lirisë së rrogëtarëve të shtetit përmes trysnisë, përmes funksionarëve që kërkonin votën brutalisht (duke ua kondicionuar vendin e punës me këtë votë), te heqjet nga puna për arsye të mosdhënies së votës apo të pjesëmarrjes në aktivitetet e opozitës, te kufizimi brutal i ndihmës ekonomike, sidomos në fshat, shërbëtorë të pushtetit të madh me votën për PD-në, te lirimi në shkelje të plotë të ligjit të kriminelëve nga më të rrezikshmit të dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda për të ushtruar presion, duke shkuar më tej te deformimi i pasqyrës mediatike”.
Berisha përcjell pozicionin politik në lidhje me negociatat
Politika nuk mund të gjykojë kurrë vendimet e Gjykatës
Gati për tryezën e organizuar nga Presidenti i Republikës
Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se kutitë e votimit nuk mund të hapen, pasi do të shkohej në shkelje të pastër të ligjit dhe të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Për kreun e Qeverisë, Gjykata Kushtetuese nuk është shprehur në lidhje me çështjen e kutive, por vendimi i saj kurrsesi nuk mund të shqyrtohet politikisht. “Ndarja e pushteteve është një ndër parimet më themelore të çdo shoqërie demokratike. Përveç kësaj, ka një përcaktim të Gjykatës Kushtetuese, e cila në mënyrën më të qartë përcakton se komisionet hetimore nuk mund të hyjnë në çështje të gjykuara”, ka deklaruar Kryeministri Berisha në një intervistë televizive. Ai ka nënvizuar se nuk është ai që pengon hapjen e kutive dhe numërimin e votave. Sipas tij, Kushtetuta dhe ligjet e vendit nuk pranojnë një gjë të tillë dhe për pasojë është i pamundur vlerësimi politik i çështjes. Shefi i ekzekutivit theksoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është universalisht i pranuar. Madje, ai shtoi se gjatë takimeve të zhvilluara me përfaqësues diplomatikë gjatë ditëve të fundit, nuk i është kërkuar që mazhoranca të vendosë për hapjen e kutive të votimit. Kryeministri Berisha ka përsëritur gatishmërinë e tij për të nisur menjëherë dialogun serioz me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, në negociatat e organizuara nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Berisha theksoi se vetëm kreu i shtetit, ai që thërret tryezën e negociatave, duhet të japë garancitë për zhvillimin serioz të tyre dhe të përcjellë vlerësimet përkatëse. Berisha, duke iu referuar delegacionit të Këshillit të Evropës, që pritet të vijë në Shqipëri më 22 shkurt, theksoi se mirëpret të gjitha kontributet në vijën në funksion të zgjidhjes së këtij ngërçi politik. Ai vlerësoi maksimalisht rezolutën e Asamblesë Parlamentare të KiE-së, e cila sipas tij përbën themelin e negociatave. Kryeministri tha se ai është i interesuar që deputetët socialistë të hynin në Parlament dhe të mos krijohej një precedent i papëlqyeshëm për sa u përket mandateve.
Zgjedhjet e parakohshme
Kryeministri Berisha ka hedhur kategorikisht poshtë mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme. “Data 28 qershor e vitit 2013 do të jetë e diela e fundit e qershorit, do të jetë e vitit 2013, do të jetë data e zgjedhjeve”, ka deklaruar kreu i Qeverisë. Përmes kësaj deklarate, shefi i Ekzekutivit ka lënë të kuptojë se kriza politike kurrsesi nuk do të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Berisha tha se mazhoranca po funksionon plotësisht.