E Diel, 1 Nëntor 2026

Në ngërç shpërndarja e 48 apartamenteve e të pastrehëve

05/02/2010  Prefekti rikthen listën e përfituesve të apartamenteve, nuk u zbatuan rigorozisht procedurat
DURRES- Lista e përfituesve të strehimit në banesat e ndërtuara nga Enti Kombëtar i Banesave për të pastrehët e Bashkisë së Durrësit është rikthyer edhe një herë në tryezën e Këshillit të Bashkisë. Në kohën ku është menduar se gjithçka është përfunduar dhe votuar, prefekti i Durrësit, Genci Alizoti, ka kundërshtuar dosjen përkatëse me emrat e 48 kryefamiljarëve përfitues.
Rishqyrtimi
Shkak për këtë vendim që më së shumti është cilësuar i papritur, është bërë vërejtja e procesverbaleve të mbledhjes së radhës. Ka qenë kundërshtimi i kryetarit të bashkisë, Vangjush Dako, që ka shtyrë prefekturën të shoh mbështetjen ligjore në marrjen e vendimit për listën e te pastrehëve. Sipas prefektit Genci Alizoti, vendimet në rastet të tilla siç është miratimi i listës së përfituesve të apartamenteve për strehim merren me 3/5 numrit të këshilltarëve të pranishëm. Pikërisht në kohën kur lista është shpallur tashmë ka ndodhur edhe ndërhyrja nga ana e institucionit të prefektit. Alizoti e ka justifikuar hapin e marrë në konsultim me detyrimet që ka institucioni, i cili mbikëqyr ligjshmërinë e vendimeve të komunave e bashkinë në nivel prefekture. Specialistët e prefekturës si dhe juristë të kërkuar nga Alizoti kanë shqyrtuar në rrugë institucionale vendimin e Këshillit të Bashkisë së Durrësit dhe ankesën e kryetarit të bashkisë Vangjush Dako. Më shumë se 3 vite është dashur për të shkuar deri në zbardhjen e një liste të tillë për 48 apartamente të ndërtuara në lagjen numër 17 të qytetit. Të dy godinat kanë përfunduar së investuari afro dy vite më parë, por këshilltarët e majtë e të djathtë nuk kanë rënë në ujdi për listën duke kërkuar sistem pikëzimi. Fillimisht këshillit i janë afruar 600 emra dhe më pas numri i tyre ka rënë deri sa në mbledhjen e fundit këshilltarët votuan me shumicë të pranishme. Kryetari i këtij këshilli Zamir Ramadani, që i përket grupit të PD-së ka bërë të ditur se lista me 48 emra është votuar nga 25 këshilltarë. Këshilli i Bashkisë së Durrësit ka 45 këshilltarë dhe në të përfaqësohen 13 subjekte raporti i aleancës së të cilave ka ndryshuar herë pas here. “Nuk kam dijeni që prefekti ka rikthyer në këshill vendimin për listën e të pastrehëve”,-ka thënë Ramadani. Sapo prefekti ka deklaruar rishqyrtim të listës, është larguar për në Tiranë ku do të diskutojë edhe këtë çështje që ka trazuar Këshillin Bashkiak në Durrës. Aktualisht PD dhe aleatët e saj përbëjnë shumicën në këshill, por kundër listës së miratuar nga PD-ja dhe disa aleatë të saj kanë qenë edhe dy këshilltarë të LSI-së, të cilët kanë ndjekur linjën e arsyetimeve të këshilltarëve të PS-së. Dje nuk ka pasur ndonjë reagim nga grupimet politike, por pritet që lista e sipërpërmendur pritet të sjellë zhvillime të reja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›