E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesë filma shqiptarë shfaqen në Çeki

Java shqiptare
Aktiviteti u organizua si një bashkëpunim mes arkivave të filmit

Filmit shqiptar i kushtohet një javë e posaçme në çeki. Prej datës 27 janar, në kinemanë “Ponrepo” të Arkivit çek të Filmit po shfaqen pesë filma shqiptarë, mes të cilëve vetëm “Koncert në vitin ‘36” i regjisorit Saimir Kumbaro është prodhim i para viteve ’90. “Trishtimi i Zonjës Shnajder” i regjisorit Piro Milkani, “Parullat” i Gjergj Xhuvanit, “Mao Ce Duni” i Besnik Bishës (shfaqet nesër në mbrëmje) dhe “Gjallë” i Artan Minarollit kanë qenë filmat e tjerë të shfaqur në çeki. Piro Milkani, i pranishëm në këtë aktivitet, shprehet se realizimi u mundësua falë bashkëpunimit mes dy arkivave të filmit dhe ambasadës shqiptare në çeki. Një katalog i përgatitur me këtë rast, veç sinopsit për secilin nga filmat, përmban edhe një historik të shkurtër të kinemasë shqiptare, shkruar nga Milkani. Filmat, kryesisht prodhime të pas ‘90-s, janë ndjekur nga kritikë të filmit, mes të cilëve edhe emra të njohur. Sipas Milkanit, pas çdo shfaqje ka pasur një seancë pyetjesh, ku më së shumti kanë qenë të interesuar për mënyrën e realizimit të filmave nën komunizëm dhe gjendja sot e kinemasë shqiptare. Më parë, këto filma kanë prekur një pjesë të publikut çek, pasi janë shfaqur në festivalin e rëndësishëm “Karlovy Vary”. Me këtë rast, para shfaqjes së filmave është bërë një spot publicitar për turizmin shqiptar, me pamje të realizuara nga ajri prej Alket Islamit. Materialet filmike janë shkëmbyer mes arkivave të dy vendeve, ndërsa Milkani shprehet se nga bashkëbisedimet gjatë aktivitetit, filmat shqiptarë do të shfaqen për një publik më të gjerë. Veç prodhimeve të sipërpërmendura, “Syri magjik” i kujtim çashkut dhe dokumentari “Romancë joniane” i Virgjil Kulit në formatin dvd do të shfaqen në auditorët e universiteteve. Deri më tani universitetet e Pragës “Bërno”, “Ollomouc”, “çeske Bugjejovice” i janë përgjigjur kësaj nisme. Sipas Milkanit, në të ardhmen Arkivi Qendror i Filmit mund të organizojë në kinemanë e rikonstruktuar edhe javën e filmit çek në Tiranë.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›