Organizimet e ditëlindjes!

Kanë mbetur më pak se dy javë kur Republika e Kosovës do të festojë ditëlindjen e saj të dytë.
Ndonëse jo me diçka që nuk e kemi parë deri më tash, Ministria e Kulturës thotë se i ka mobilizuar disa prej institucioneve të saj për ta kremtuar këtë ditë.
“Institucionet kulturore në varësi të MKRS-së, tashmë kanë filluar përgatitjet e tyre për shënimin e 17 shkurtit - Dita e Pavarësisë së Kosovës”, thotë Arbërore Riza, këshilltare për media e Ministrit Beqiri.
Vetëm 5 institucione kulturore do të jenë aktive gjatë 17 shkurtit, së paku këto janë njoftimet që vinë nga Ministria e Kulturës për këtë moment.
Do të jetë Galeria e Arteve e Kosovës, e cila jo më 17 shkurt por dy ditë më herë apo më mirë të themi me 15 shkurt do të hap ekspozitë ku do të shpaloset një pjesë e madhe e fondit të Galerisë së Arteve të Kosovës.
Ekspozita që do të hapet do të titullohet "Ekspozita e Fondit te Galerisë". “Kjo ekspozitë i dedikohet shënimit të kësaj dite”, tha Riza për Express.
GAK në fondin e saj ka më shumë se 800 punime ndërsa disa prej këtyre punimeve ka vite që nuk e kanë parë dritën.
Në mesin e këtyre punëve është edhe një grafikë e artistit të njohur Andy Warehole, punim ky i dhuruar Olimpiadës së Sarajevës, e mbajtur në vitin 1984. Më pas, puna e tij i është falur Galerisë së Arteve të Kosovës. Në mesin e më shumë se 800 punimeve GAK nuk do ti prezantojë të gjitha pasi nuk ka hapësirë të mjaftueshme.
“Jemi në përzgjedhje të punimeve më të mira. Besoj që publiku që do t’i shohë punimet më të mira që i ofron Galeria e Arteve”, shpjegon Fahredin Spahija, drejtor i GAK.
Ndërsa në ballë të solemnitetit për nder të 17 shkurtit do të jetë Filarmonia e Kosovës me koncertin saj solemn.
Tash të dalim tek Teatri Kombëtar dhe cilat do të jenë përgatitjet e këtij institucioni për ditëlindjen e Kosovës. Do të jetë shfaqja "Bodrumi" në regji të Fadil Hysaj, e cila do të shfaqet më 17 shkurt.
Në kuadër të “Flakës së Janarit”, kjo shfaqje është shpërblyer për tekstin më origjinal. Aktorja Sheqerie Buçaj, është shpërblyer për rolin kryesor,
ndërsa aktori, Bislim Muçaj, poashtu është shpërblyer me Shpërblim Special për rolin kryesor.
Në pjesën tjetër të qytetit të Prishtinës, Muzeu i Kosovës, poashtu ka planifikuar dicka. “Ekspozite-krijimtaria artistike e fëmijëve për shënimin e pavarësisë si dhe botimi për shënime për pavarësinë e Kosovës”, thotë Riza.
Derisa, ansambli i këngëve dhe valleve "Shota" do të angazhohet në kuadër të manifestimit në qytetin e Kaçanikut.