Meta: 2012-a do jetë një vit i mbarë për shqiptarët

Zgjedhjet në LSI, Meta: “Do rikandidoj dhe mirëpres çdo kandidaturë tjetër - performanca e LSI, premtuese në çdo nivel qeverisës. Marrja e statusit të vendit kandidat, prioritet absolut i mazhorancës”
Ilir Meta do rikandidojë për një tjetër mandat në krye të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Lajmin e ka konfirmuar vetë Meta gjatë një konference për shtyp, të parën për vitin 2012-ë, ku u shpreh se është i gatshëm të jetë pjesë e garës për zgjedhjen e strukturave të reja drejtuese në LSI. Lëvizja Socialiste për Integrim është në fazën e reformatimit të strukturave drejtuese si dhe zgjedhjen e krerëve të degëve në rrethe, proces ky që pritet të finalizohet brenda pranverës së këtij viti.
Meta tha se gjatë këtij viti, LSI do përmirësojë akoma edhe më tej performancën e saj si një forcë politike qeverisëse me qëllim realizimin e objektivave të mazhorancës, por njëkohësisht edhe realizimin e objektivave të LSI-së si një forcë qeverisëse sa më shumë të jetë e mundur. Ndërkaq, Meta e ka cilësuar vitin 2012-ë, 100 vjetorin e Pavarësisë, si një vit të jashtëzakonshëm dhe të rëndësishëm për çdo shqiptar, ndërsa ka shtuar se LSI është e zotuar të garantojë një proces qeverisje gjithëpërfshirës dhe se do të rrisë bashkëpunimin në funksion të integrimit të vendit. Sipas kreut të LSI-së kryefjala e kësaj partie për 2012-ën do të jetë marrja e statusit kandidat për Shqipërinë në Bashkimin Europian. Duke komentuar seancën gjyqësore që zhvillohet sot, për të ashtuquajturin video – përgjimi Meta – Prifti, kreu i LSI-së Ilir Meta tha se “kjo, tashmë është kthyer në një çështje ordinere që i përket inskenimeve të turpshme të vitit të kaluar”. “Nuk jam i gatshëm të merrem me çështje ordinere të vitit të kaluar. Ne duhet të shohim përpara”- tha Meta.
A keni një koment një ditë përpara mbajtjes së pretencës nga Gjykata e Lartë? Dhe a është i gatshëm Ilir Meta të kthehet në qeverisje pas një vendimi të mundshëm të Gjykatës së Lartë?
Nuk jam i gatshëm të merrem me çështje tashmë ordinere që i takojnë vitit të kaluar. Jemi këtu për t’u marrë më çështje të mëdha dhe tepër serioze që i takojnë të ardhmes dhe ju siguroj se angazhimi dhe performanca e LSI-së në të gjitha nivelet e qeverisjes do të jetë vërtet tepër premtuese.
Është e vërtetë që gjatë një mbledhjeje të Kryesisë së Tiranës janë shfaqur pasazhe nga një tjetër video e regjistruar nga Prifti?
Nuk ka ndonjë mbledhje kryesie të LSI-së që të jetë zhvilluar dhe jam i habitur me imagjinatën tuaj por ndoshta nuk kemi burime të sakta të informacionit dhe mbetemi të hapur për të bashkëpunuar me ju ngushtësisht për të ardhmen.
Ju thatë që do ketë zgjedhje të brendshme në LSI. A do të jetë Ilir Meta sërish kandidati potencial për të qenë në krye të Lëvizjes Socialiste për Integrim?
T’iu them që nuk do të jem do ta merrni si modesti të tepruar dhe ndonjëherë dhe modestia e tepruar gjykohet negativisht. Nuk ka sesi s’mund të jem për aq kohë sa në 8 maj LSI-ja arriti një rritje spektakolare në raport me zgjedhjet e vitit 2009, pra mbi 40 mijë vota. Por, jam i bindur që do të ketë dhe kandidatura të tjera dhe të gjitha janë të mirëpritur që të zhvillojnë alternativat e tyre në të mirën e këtyre objektivave që sapo theksova më parë.