E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria po ndryshon, Tirana po lulëzon

06-01-2012 / Nga Kostaq Xoxa

Përshtypjet e Gasper Shtjefnit për Tiranën

(Faqe ditari)

Në verën e vitit 1968 vajtëm, me nxënësit e gjimnazit, në Tamarë të Malësisë së Madhe për punë „vullnetare“. Unë punoja atjé me maturantët e mi të klasës kujdestare. E ndjeja veten të fuqishëm dhe mora menjëherë karrocën e ngarkimit të dherave në një të përpjetë. Quhej puna më e rëndë, në krahasim me nxënësit që mbushnin karrocat e dorës. Shumë nga nxënësit ofroheshin që të më “ndihmonin” duke kërkuar që të merrja një lopatë, në këmbim të karrocës transportuese. Unë ngulmoja në timen, se ishte një punë që e bëja pa mundim.  Nxënësit i donin ata mësues që punonin pa hile, në kohën kur disa të tjerë edhe u vinte për mbarë të bënin punën më joshëse, atë të sjelljes së ujit. Uji nga lumi i Cemit, kristal dhe brisk i ftohtë, qarkullonte në një degë të tij, mu aty ngjitur me punën tonë.
Te ne na vinte shpesh, i ftuar nga krerët e drejtimit të nxënësve, një djalë i ri, teknik bujqësor në Tamarë. Drejtuesit e punimeve kishin hall se mos lajthiteshim në skicën planimetrike e na  shkonte puna huq, siç kishte ndodhur ndonjëherë më parë. Ky djalë i ri e simpatik quhej Gaspër Shtjefni. Ishte i papërtuar, i shkathët dhe tepër inteligjent.  Maturantet tona e pëlqenin, por ai, ndonëse gojëmbël me to, nuk binte në dërrasë të kalbur.
Gaspri u miqësua shpejt edhe me mua. Më ftoi, madjé edhe për kafe, në një klub, fare të qetë, në dalje të Tamarës. “Çuditem – më tha, - sesi të duan nxënësit, duke dhënë lëndën e matematikës dhe duke qenë i rreptë në orë të mësimit”.
E vuri ré menjëherë habinë time.
-I rreptë, por vije kurdoherë në mbrëmjet e tyre të vallëzimit! – vazhdoi ai.
-Për të zbehur sado pak atë hijen e rëndë që vinte nga lënda e vrazhdë që jepnim në mësim, - i thashë. - Dhe po e shihja drejt e në sy. Nuk m’u duk aspak si provokator.
-Moza fliste për ty më sinqerisht, se s’e kishte problem matematikën; ajo e  dinte që kishe qenë shofer para se të bëheshe mësues. (Emri i saj është fiktiv, por fillonte me M, megjithatë.). Gaspri po shikonte në fytyrën time një fizionomi të ndryshuar, dyshuese, tashmë.
-Aha! – m’u dha t’i përgjigjesha këtë herë në mënyrë shpotitëse, – paske edhe njohje  konfidenciale me maturantet tona!... Kurse kisha përshtypjen se ishe tepër i përmbajtur me to!
-Dëgjomë, - profesor, - më tha Gaspri, tanimë me një ton “serioz”. - Atë që ke pas qenë shofer e di vetëm Moza dhe askush tjetër. ( Mua më erdhi ngjyra në fytyrë). - Me vëllanë e saj të madh (më tha emrin e tij) kemi qenë shokë të ngushtë në shkollën e lartë bujqësore. Ti në atë kohë banoje në një barrakë, në  rrugën Mine Peza, karshi asaj që quhej “Kafe Flora” .Ishte një ndërtesë trekatëshe, e lënë pa përfunduar, vetëm me strukturë betoni, në një oborr me një §C të përbashkët, ku banonin nja 7-8 familje, ndër të cilat më kujtoheshin Asllanët, Goxhamanët, Toptanët, Alizotët...Me familjen e Mozës ishit komshinj. Kishit miqësi. Ju bashkonin hallet e përbashkëta. Mund të pyesni për mua, tani, Mozën...
-Nuk ta jap fjalën, . i thashë Gasprit, - se me nxënësit, mësuesi nuk mund të hyjë dot në muhabete të tilla.
-Sidoqoftë ta thashë këtë si kartë besueshmërie.
I besova, vërtet. Këtë herë më foli me emër, jo me titull shkollor. Ishte bindur edhe ai, duke më këqyrur me dashamirësi. Pas një pauze të shkurtër e mori sërish fjalën:
- Ne jemi një familje e madhe, banuese këtu afër Tamarës. Ishim nga të paktat “me biografi të mirë”,  sipas një thënieje të kohës. Sepse vëllai im i madh kishte qenë partizan. Veçse ai i dha të drejtë babës, jo partisë,  për kundërshtimin që motra ime të vinte në punë vullnetare jashtë rrethit tonë, me grupin e vajzave e të djemve.  Familjeve të tjera nuk ua mbante të kundërshtonin. Vëllai im i madh  kujtonte se s’ishte ndonjë gjë e madhe, të mos ia prishnin qejfin babës plak, me mendësi fanatike. Lindi një sherr në organizatën e partisë. Meqë baba, kokëshkretë, nuk pranoi të hynte as në kooperativë, vëllanë e madh e përjashtuan nga partia. U bëmë edhe ne si familjet e tjera. Më keq, madje, meqë nuk hymë as në kooperativë. Im vëlla, si ish-partizan, mendoi që të ikte nga Tamara, se mund ta pësonte.  Një shok lufte, që e  donte për karakterin e tij, e mbajti në shtëpinë e vet, në rrugën “Mine Peza”, afër familjes së  Mozës. Ja, pra, sesi unë të njoh, për hir të këtyre rrethanave. Kam qenë mik i disa djemve në atë shtëpi gërmadhë që nuk e di përse mbeti e papërfunduar. Me Edi Toptanin, me Çezar Asllanin, me Kolin...Tani unë e ndiej veten edhe mikun tënd – e mbylli ligjëratën e tij Gasper Shtjeftni.
Ai kuptoi se unë e besoja, tanimë, plotësisht. Madje më tha se është hera e parë që po bisedojmë në kafe. “Se nuk duhet të biem në sy.  Mund të takohemi edhe njëherë tjetër, para se të përfundoni muajin e aksionit “vullnetar”, - më tha duke e shprehur si me kunj këtë fjalën e fundit.
Herën e dytë dhe të fundit që vajta në kafe me Shtjefnin, më çuditi fare se dinte edhe përjasahtimin tim nga shkolla, bashkë me tetë të tjerë. Kjo kishte ndodhur në vitin 1949. Në mirëbesim i thashë se dy vite më parë na kishin mbledhur për  një peticion solidariteti me Titon, që donte të zhvaste nga Italia verilindore, Tristja, Venecia Xhulia, Pola, troje italiane, meqë  partizanët e Titos i kishin “çliruar” me ngutje, para se të iknin ushtarët gjermanë nga Italia. Në mbledhjet e BRASH-it, organizatës së rinisë, disa nga ne i thoshin Arben Putos me shokë, të dërguar nga Komiteti i Partisë së qytetit, se përveç peticionit që na kërkohej, të përpilohej edhe një peticion tjetër për referendumin që kishte premtuar  Tito se do të bëhej pas mbarimit të Luftës,  për Kosovën, nëse do të mbetej me Jugosllavinë apo me Shqipërinë. Këto ishin me zarar dhe mbaheshin shënim. Por në ’46-n ne ishim kalamaj dhe kokëkrisur. Pas dy vitesh filloi koha e përjashtimeve të dhunshme. U hapën defterët. Në gazetat “Zëri i Popullit”  dhe “Rinia” pati artikuj ku përmendeshim me emër, si të padisiplinuar, por edhe për qëndrime kundër pushtetit popullor.
Në një kohë të mëvonshme,  Krushovi erdhi në Shqipëri dhe e zbuti klimën politike. Duket se u fol edhe për përjashtime, shpesh të pamotivuara, të nxënësve të klasave të ulëta të shkollës së mesme. Na u dhanë sërish të drejtat e studimit, pas një ndërprerje vitesh të tëra, gjatë të cilave bëmë ushtrinë dhe u morëm me punëra të ndryshme, zakonisht hamallëqe në ndërtim. Unë isha bërë shofer, përveç punimeve si gjeometër në kriporen e Karpenit, një bregdet kavajas.
Arsimi kishte ende mësues pa arsimin përkatës. Ndërkaq unë kisha bërë katër vite në Universitet, në shkollë pa shkëputje nga puna, (shkollë nate), në inxhinierinë elektrike. U pranova si mësues matematike vitin e parë në tetëvjeçare dhe vitet e mëpasme në shkollë të mesme. Përfitova se isha jo vetëm pranë mbarimit të shkollës së lartë, por edhe me dy dajallarë dëshmorë.
***
Këto dinte Gaspri për mua, pjesërisht nga ato familjet e rrugës Mine Peza, disa gjëra prej Mozës, por edhe nga ato që i kisha thënë vetë. Në vitet e para të ndryshimit të sistemeve, ai kishte ardhur në Shkodër dhe ishte aktivist i PD-së. I kishin caktuar kandidaturën për në organet e këshillit bashkiak, por ai ua kishte ceduar të tjerëve, “më të rinj në moshë”. Pastaj ai shkonte shpesh në Belgjikë, ku kishte të afërt nga farefisnia e babait të vet. Mua më takonte sa herë vinte në Tiranë. Më shkruante edhe letra, madje édhe nga Brukseli.
Herën e fundit erdhi në Tiranë në vigjilje të zgjedhjeve të 8 majit. Ishte tërësisht i bindur se do të fitonte Lulzim Basha. I quajti të guximshme premtimet e Bashës për qytetin e Tiranës: Një program i tërë pune të jashtëzakonshme. I bënte përshtypje  ajo mëdyshja e Ramës dhe mungesa e vendosmërisë për të vënë kandidaturën për qytetin. “Si kurdoherë zvarritës” – thoshte për kryetarin e javëve të fundit. Kur vendosi, më së fundi, doli pa asnjë program pune. U kritikua nga të gjitha anët për mungesë programi. Atëherë Edi Rama shkoi në ekstremin tjetër. Për Unazën e Madhe foli që do ta bënte më shpejt se Luli. Tranvaje? U kujtua nga Luli: dy më shumë se ai! Programi i Lulit e hoqi zvarrë për të bërë premtime të bujshne. Por ishte vonë. Tepër vonë...
Përveç këtyre vërejtjeve, Gasprit ia kishte prishur sytë ai grumbulli i dherave mu në qendër të Tiranës. - 11 vjet në krye të bashkisë dhe akoma pirgjet e dheut e kanë bërë qendrën gërmadhë, e kanë bërë qarkullimin rrugor të paralizuar dhe lë vetëm një punëtor për ta bërë atje tetëorëshin, duke u gjendur si Kola në punë!
Gaspri kishte ndjekur ditët e fundit të shqyrtimit të përfundimit të votimeve. Ishte revoltuar tejmase me mëtimin që Edi të vetëshpallej kryetar me  + 10 vota, ndërsa L. Basha, me besim të madh në vetvete, vlerësonte fletëvotimet, jo kutitë e votimit. Të parat shprehin vullnetin zgjedhor. Të dytat janë një instrument numërimi, që s’ka  të bëjë me vullnetin e elektoratit. Këtë e ka të qartë kushdo. Natyrisht edhe Rama. Por ai dëshiron të jetë fitues, pa derman; të tjerat s’kishin rëndësi për të. Të respektosh vullnetin e zgjedhësit nuk do të thotë të vlerësosh kutitë dhe të injorosh fletëvotimet.
Kështu mendonte Gaspri për zgjedhjet.
***
Herën e fundit që u takuam, e kishte lënë Tiranën me ato grumbullimet e dherave në sheshin qendror dhe kishte ikur në Bruksel. Ishte dëshmitar i një autoambulance të bllokuar para ish-Hotel Dajtit dhe disa hapa para ministrive. Atje automjeti mjekësor, që po mbartte një grua që kishte pësuar një infarkt dhe duhej çuar sa më shpejt në spital, po mundohej të hapte rrugë, me oshëtimën e sirenës në kupë të qiellit. E pamundur të ecte makina. Kur mbërriti në spital, ajo gruaja e shkretë ishte në koma. Dhanë e morën mjekët dhe pacientja mbaroi. Mjekët kishin thënë se, po të kishte mbërritur 15 minuta më parë, ajo do të kishte shpëtuar. Këtë Shtjefni e kishte marrë vesh nga njëri prej djemve të gruas fatkeqe, të cilin e njihte.
Gaspri ishte tronditur nga një gjë e tillë. Këto pirgje dheu kishin mbetur në vend numëro, jo prej muajsh, por prej vitesh. 11 vjet s’kishin mjaftuar që të përfundonte kjo punë. Si Sahati i madh i kryeqytetit, që ishte paralizuar dhe si gropat e rrugës rreth e qark ministrive që nuk u arnuan, së paku. Këto kishin gjithmonë gjuhën e justifikimeve nga Edi. Por banorët ishin velur, tashmë, me propagandën boshe të Ramës dhe të propagandistëve të tij, që flisnin si shefi i tyre.
Kur erdhi, pas disa muajsh, nga Brukseli në Tiranë, Gaspri ishte mrekulluar. Lulzim Basha, në krye të bashkisë, tashmë e kishte ndryshuar sheshin, i kishte hapur rrugët që përqendroheshin te sheshi, i kishte shtruar rrugët dhe anës bordurave zbukuronin lulet.  Jeshillëku ishte përhapur kudo dhe makinat lëviznin lirshëm përqark rrethit qendror, në drjtim të bulevardit Zog.I, rr. së Durrësit,, rr. së Kavajës, bulevardit Dëshmorët e Kombit, rr. së Elbasanit, rr. së Dibrës ... Qendra merrte frymë.
Me rastin e festës së 28 Nëntorit,  i gjithë bulevardi, nga sheshi i ministrive gjer te “Nënë Tereza”, ishte  i mbuluar si nga një tavan i prarurar ornamental, siç dukej nga autobusët në ecje të lirshme. Gaspri e kishte parë këtë mrekulli, në autobus, natën. Rr. Murat Toptani për këmbësorë, kishte një bukuri të veçantë.
-Nuk e kam parë ndonjëherë Tiranën më të bukur, - tha Gaspri. Tani, njerëzit me vullnet të mirë, mund të përfytyrojnë, ose jo, sesi do të bëhet kryeqyteti ynë, në 100-vjetorin e festës së Pavarësisë. Po të kishim fitoren qesharake të +10-s, nuk do të kishim as këtë mrekulli që po shoh sot, as atë madhështinë e 100-vjetorit. Jam i sigurt se pirgjet do t’i kishim ende nëpër këmbë. Sepse puna nuk bëhet me part time. As me vetëmburrje neveritëse. Puna bëhet  ashtu siç e ka bërë, po e bën dhe do ta bëjë Lulzim Basha, që më ia lumsha! Po e bën me entuziazëm, me shpirt krijues dhe me konsulencë të të gjithë banorëve të Tiranës.
Shqipëria po ndryshon, në qeverinë e Sali Berishës. Tirana po lulëzon, nën drejtimin e Lulzimit. Në Europë kështu shkohet. Aktivitetet artistike të këtyre Krishtlindjeve dhe të këtij Viti të Ri as që mund të përfytyroheshin në kohën kur Edi Rama i bëri armiq të gjithë artistët, që u futën në grevë dhe u nxorën barbarisht me shkopinjtë e gomës!...

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›