E Enjte, 5 Nëntor 2026

Meta: 25 prilli do të jetë një referendum për ringritjen morale, demokratike, ligjore dhe institucionale!

Presdenti Ilir Meta ka shprehur edhe një herë shqetësimin e tij për përhapjen e pandemisë së koronavirusit, ndërsa tha se buxheti i qeverisë nuk garantonte asnjë lloj mbështetje serioze për sektorin e shëndetit publik dhe për menaxhimin e sëmundjes. Duke folur nga Shkodra zoti Meta tha se “Problem kryesor mbetet sot përballimi i pandemisë dhe mbështetja e gjithë personelit mjekësor dhe shëndetësor në përballimin e një fluksi në rritje të të infektuarve. Problem mjaft serioz mbetet rritja e numrit të viktimave nga pandemia. Problem mjaft kritik mbetet fakti që janë shumë më tepër ata të cilët mjekohen në familje dhe kanë nevojë jo vetëm për protokolle të sakta që duhen ndjekur, por edhe mbështetje për të përballuar mjekimin e tyre si nga ana mjekësore dhe nga ana financiare”. Sipas kreut të shtetit buxheti i shtetit për këtë vit, për fat të keq nuk garantonte asnjë lloj mbështetje serioze për sektorin e shëndetit publik dhe për menaxhimi ne pandemisë, por për fat të keq dyfishonte pagesat e buxhetit të shtetit për koncesionet e oligarkëve.
I pyetur se a mund të jetë një alternativë rishikimi i datës së zgjedhjeve, nëse do të kërkohet, zot Meta tha: “Nuk ka asnjë shans dhe asnjë skenar për të rishikuar datën e zgjedhjeve. Shqipëria ka pasur nevojë ulëritëse për zgjedhje prej kohësh. 25 prilli është vendosur pas konsultimeve me konsensus. Shqiptarët përveç shqetësimit të pandemisë, shqetësimi tjetër është që data e zgjedhjeve iu duket shumë larg prej kohësh”.
Lidhur me apelin ndaj forcave politike për të larguar nga listat personat e inkriminuar, presidenti Meta tha se “Fakti që ne kemi miratuar para disa viteve një ligj për dekriminalizimin është tregues i qartë i problemit tepër serioz dhe i këtij fenomeni mjaft kritik, se kush i ka promovuar, se kush i merr në mbrojtje, tani kjo dihet. Unë u bëj thirrje të gjitha forcave politike të distancohen nga persona të cilët kanë pasur probleme me dekriminalizimin dhe njëkohësisht të promovojnë figura të reja, figura me integritet dhe së dyti dua t’ju siguroj që populli shqiptar do të jetë shumë i qartë për t’i ndëshkuar me votën e tij të gjithë ata që do të përpiqen të marrin direkt apo në mënyrë indirekte persona të tillë, thjesht për disa vota më shumë” tha zoti Meta.
Kreu i shtetit i cili është rreshtuar hapur në krah të opozitës tha se “Jam tepër besimplotë se 25 prilli do të jetë një referendum për ringritjen morale, demokratike, ligjore dhe institucionale dhe po kështu edhe europiane dhe ekonomike për vendin tonë dhe për shumicën e familjeve shqiptare që sot vuajnë dhe ndeshen me një varfëri në rritje”.
I pyetur nëse pas 25 prillit maxhoranca rikonfirmohet, a do të jetë e mundur dhe a ka rrugë bashkëpunimi mes Presidencës dhe asaj maxhorance, kreu i shtetit përsëriti: “25 prilli do të jetë një referendum i mbarë popullit shqiptar për të ardhmen e tij europiane. Unë jam shumë besimplotë për këtë gjë dhe gjithmonë do të vazhdoj të jem i përkushtuar për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Ka humbur shumë vite, nuk ka për të humbur më asnjë sekondë. Treni integrimit është nisur, mjerë ai që i del përpara pasi nuk ndalet më jo në 25 prillit, por as pas 25 prillit”. “Është turp i madh për të gjithë ne që të jemi kaq pas Serbisë e Malit të Zi në procesin e integrimit europian kur 15 vite më parë apo 10 vite më parë kemi qenë para tyre. Është koha për të mos humbur më asnjë sekondë dhe kjo fillon me zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe unë jam jam i bindur se të gjithë shqiptarët janë të bindur tek fuqia që ata kanë tek vota e tyre. Do të dinë të gjithë të marrin pjesë, ta mbrojnë dhe të tregojnë se janë qytetarë të denjë shqiptarë dhe europianë” tha presidenti Ilir Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›