E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta Akuzat jane nje frymezim i paster antishqiptar

Gjakovë Zv.kryeministri nga Kosova: Pasuesit e Millosheviçit po ngrenë krye

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Ilir Meta, tha dje në Gjakovë se raporti i senatorit zviceran, Dick Marty, është një frymëzim antishqiptar i atyre që asnjëherë nuk janë pajtuar me integrimet e Kosovës dhe Shqipërisë. Këto komente, ai i bëri pas një takimi që ka pasur me kryetarin e Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj.

“Absolutisht, raporti i Dick Marty-t është një frymëzim antishqiptar, për llogari të atyre qarqeve që asnjëherë nuk janë pajtuar me pavarësinë e Kosovës, që nuk janë pajtuar me integrimin e Kosovës dhe Shqipërisë në rrjedhat euroatlantike”, tha Meta. “Padyshim ne hedhim poshtë me përbuzje këtë raport, të bazuar mbi halucinacione, trillime dhe fiksime aspak të faktuara. Nuk është hera e parë që qarqe të tilla nacionaliste, ekstremiste në Serbi frymëzojnë sulme të tilla ndaj Kosovës e Shqipërisë. Ato qarqe janë të lidhura me përgjegjësinë e atij gjenocidi që ndodhi në Kosovë, në Bosnjë, në gjithë Ballkanin, pra janë pasuesit e politikës së Sllobodan Millosheviçit”, tha Meta. Sipas tij, ky raport është edhe kundër luftës së drejtë që bëri populli i Kosovës për lirinë e tij dhe njëkohësisht kundër afirmimit të Shqipërisë, si një vend plotësisht i devotshëm i komunitetit euroatlantik, që plotëson të gjitha detyrimet e veta. “Ato qarqe antishqiptare dhe antiperëndimore kërkojnë të dëmtojnë një nga arritjet më të rëndësishme të dekadës së fundit, që është një Kosovë e lirë dhe demokratike, një Kosovë që është një shtet i lirë, që po tregon se funksionon përkundër atij gjenocidi të pashembullt që ndodhi këtu para 10 vjetëve”.

Ai më tutje tha se Shqipëria do të nisë një ofensivë për të çmontuar këtë raport. “Shqipëria ka filluar dhe do të vazhdojë me intensitet një fushatë ndërkombëtare, e cila synon çmontimin, jo vetëm të këtij raporti. Zëvendëskryeministri dhe njëkohësisht ministër i Energjetikës, Meta, së bashku me ministrin e Bujqësisë, Genc Ruli, dje ka vizituar Gjakovën, me qëllim të falënderimit nga aty popullin e Kosovës, i cili edhe këtë herë ka ndihmuar shqiptarët pas vërshimeve të javëve të fundit në zonën e Shkodrës. Pos kryetarit të Gjakovës, Meta e Ruli kanë takuar edhe krerët e komunave të Ferizajt, Prizrenit, Deçanit dhe Junikut. Pal Lekaj, në cilësinë e të zotit të shtëpisë, ka thënë: “Ne çdo herë kemi qenë afër Shqipërisë, sikurse Shqipëria ka qenë afër Kosovës. Ne tani jemi munduar që në mënyrë simbolike të jemi afër qytetarëve të Shkodrës. Këtë e bëjmë me kënaqësi dhe ndihemi mirë për këtë, sepse jemi një komb”, ka thënë Lekaj.

Ndërsa kryetari i asociacionit të komunave të Kosovës, njëherësh kryetar i Ferizajt, Bajrush Xhemajli, ka falënderuar zëvendëskryeministrin Meta për ndihmën që Shqipëria i ka dhënë dhe po i jep Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›