Meta: Aleanca Popullore do jetë një nga surprizat e 23 qershorit
Nga Renato Dauti
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta duke ju referuar situatës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve theksoi se është tepër e rëndësishme që këtij institucioni ti rikthehet besimi dhe konsensusi mes palëve.
Situata në KQZ
Zgjidhja e vetme është rivendosja e besimit dhe konsensusit mes dy forcave që kanë bërë kodin. Dihet kush e prishi konsensusin në mënyrë të njëanshme dhe brutale, tha Meta. Sipas kreut të LSI-së zgjidhja e njëanshme e kësaj situate nuk është një zgjidhje e pranueshme. Zgjidhja e njëanshme nuk është zgjidhje për ne. Është me rëndësi rivendosja e besimit dhe konsensusit. Opozita nuk e ka goditur dhe cënuar në një mënyrë të njëanshme këtë institucion, u shpreh Meta. Duke ju referuar zërave sipas të cilët PBDNJ ishte kundër zëvendësimit të anëtarëve të LSI-së në KZAZ-të, Meta tha se opozita është në të njëjtën linjë, dhe se këto deklarata janë për të mbjellë diversion. Opozita e bashkuar është në të njëjtën linjë, asnjë përpjekje për të mbjellë diversion në radhët e opozitës nuk shkon. Për KQZ ne jemi në sinkron të plotë edhe me zotin Dule, deklaroi Ilir Meta.
Bashkëpunimi
Kreu i LSI-së, zyrtarizoi gjithashtu dje edhe bashkëpunimin e forcës politike që ai drejton me partinë e koalicionit të opozitës, Aleanca Popullore. Duke ju referuar kësaj force, Meta tha se kjo do të jetë një nga surprizat e këtyre zgjedhjeve. Aleanca Popullore është një forcë e re dhe e investuar qartë në koalicionin e ri me një vizion tepër konstruktiv. Kjo forcë ka si prioritet afirmimin dhe zgjidhjen e çështjes çame në kuadër të Integrimit Evropian. Jam i bindur që do jetë një nga surprizat e 23 qershorit, duke dhënë kontribut për realizimin e rotacionit, tha Meta. Ndërsa, kryetari i Aleancës Popullore, Artur Dojaka u shpreh i bindur që ka bërë koalicion me fituesit e zgjedhjeve, ndërsa vlerësoi edhe kontributin e Ilir Metës për zgjidhjen e çështjes çame. Patëm një takim konstruktiv me një nga forcat kryesore të koalicionit fitues në zgjedhje, LSI. Ilir Meta për komunitetin tonë është figurë e shquar me sensibilitet dhe angazhim personal për çështjen çame që në vitin 2000, u shpreh Dojaka.