Rama: Kupola e ministrisë së Brendshme është e lidhur me botën e krimit
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka zhvilluar sërish dje tryezën për programin për Rendin dhe Sigurinë, ku përsëriti edhe një herë premtimin për rivendosjen e rendit në 300 ditët e para të qeverisjes socialiste. Rama premtoi një polici serioze dhe të gatshme për tju përgjigjur sfidave. Ndërkohë që ai hodhi akuza të rënda drejt ministrisë së Brendshme, duke thënë se kupola e ministrisë së Brendshme është e lidhur me botën e krimit
Premtimi
Ne kemi marrë një angazhim brenda 300 ditëve të para të qeverisjes sonë do të zhvillojmë një luftë të paparë me krimin, do të kthejmë Policinë e Shtetit në krye të detyrës. Do tu japim shqiptarëve në shërbimin e tyre një Polici të Shtetit si asnjëherë më serioze dhe më të gatshme për tju përgjigjur sfidave të kohës që jetojmë, tha Rama. Sipas kreut të opozitës gjatë katër vjeçarit të qeverisjes socialiste nuk do të luftohet vetëm për krimin por edhe për shkaqet e tij. Ne besojmë që sa çështë e rëndësishme lufta frontale me krimin aq është e rëndësishme dhe beteja me shkaqet e krimit. Beteja me shkaqet e krimit është një betejë që zhvillohet çdo ditë dhe të cilën ne do ta zhvillojmë papushim në katër vitet e mandatit tonë qeverisës, theksoi Edi Rama.
Akuzat
Në vijim të fjalës, Edi Rama sulmoi ashpër edhe Ministrinë e Brendshme duke e akuzuar këtë të fundit për lidhje me krimin. E kemi thënë, dhe e përsërisim, me ngulm, Policia e Shtetit sot është braktisur, është tradhtuar, është lënë në mëshirë të fatit. Ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes kupolës së Ministrisë së Brendshme dhe botës së krimit. Është një lidhje ku kalojnë rrugët e korrupsionit, rrugët e kontrabandës, rrugët e favoreve reciproke që shkëmbejnë mes njëra tjetrës kupola e Ministrisë së Brendshme dhe bota e krimit, akuzoi Rama. Duke premtuar kthimin e dinjitetit të Ministrisë së Brendshme, Rama akuzoi drejtpërdrejt ministrin Noka. Ne do ti japim Ministrisë së Brendshme dinjitetin e humbur prej vitesh, por tanimë të nëpërkëmbur në mënyrën më të papërballueshme nga qenia në krye të vetë e një personazhi që gabimisht gjendet në zyrën e Ministrit të Brendshëm sepse duhet të ishte në skenën Portokallisë. Besoj që megjithë nivelin e lartë që ka arritur Portokallia nuk gjendet në Shqipëri një aktor që të mund të jetë në lartësinë e Ministrit të Brendshëm për të bërë të gajaset populli shqiptar, u shpreh Edi Rama.
Berisha: Në 23 qershor Rama do marrë humbjen e radhës
Nga Domja, ku inauguroi përfundimin e rrugës Bërxull-Domje, kryeministri Sali Berisha ironizoi kryetarin e opozitës, Edi Rama se po shkon nga humbja në humbje dhe se në 23 qershor do të regjistrojë humbjen e radhës. Nga humbja në humbje, po nuk regjistroi humbjen e radhës, ndaj 23 qershori po vjen, të ndahet përfundimisht me këtë grup njerëzisht të cilët me një akt të shëmtuar anti-shqiptar, me një akt të shëmtuar kundër interesave të çdo fëmije, çdo burri e çdo gruaje, bllokoi statusin e vendit kandidat për Shqipërinë dhe kalon nga mashtrimi në mashtrim, tha kryeministri Berisha. Sipas kreut të qeverisë alternativa e ofruar nga e djathta është investimi ndërsa ajo e palës tjetër është bllokimi. Cila është alternativa jonë, kopshte të reja, çerdhe, shkolla, kanalizime, vende pune, rritje rrogash, rritje pensionesh, po alternative tjetër kush është, e varfër në ide, e pasur me mashtrime e trillime të përditshme, u shpreh kryeministri. Në vijim, kreu i qeverisë premtoi të tjera investime gjatë katërvjeçarit të ardhshëm. Do jetë mandati i Shqipërisë me infrastrukturën më moderne në çdo skaj të saj, mandati i ardhshëm, do jetë mandati i punësimit masiv të shqiptarëve, vetëm në rrugët e ndërtuara gjatë këtyre viteve, në rrugë rurale dhe kombëtare, janë punësuar mbi 50 mijë shqiptarë për ndërtimin e tyre, për krijimin e mijëra bizneseve, kanë nxitur, prodhimin aty ku shkon rruga, aty nis biznesi, aty krijohet puna, aty krijohet ferma, përfundoi kryeministri Sali Berisha.