Meta: Bashkia e Qeveria kanë nisur një proces shkatërrimi për pronat e qytetarëve në zonën e “Kombinatit” në Tiranë

Presidenti Ilir Meta ka akuzuar qeverinë dhe Bashkinë e Tiranës se po kryejnë procedura antikushtetuese gjatë rindërtimit në zonën e Kombinatit në Tiranë. “Me pretekstin e rindërtimit të pronave të dëmtuara nga tërmeti dhe me alibinë e ndërtimit të një zone të re zhvillimi, Qeveria dhe Bashkia me presion e dhunë po përfshijnë brenda planit për prishje edhe prona, që nuk janë prekur nga tërmeti, pa informuar pronarët se çfarë fati i pret pasuritë e tyre” shkruan zoti Meta në një reagim në Facebook.
Ai u bën thirrje atyre të tërhiqen menjëherë nga çdo përpjekje e procedurë antikushtetuese, që sipas tij synon zaptimin e pronave private të qytetarëve për ndërtimin e kullave shumëkatëshe edhe në këtë zonë të Tiranës. “Në mënyrë antikushtetuese, të dhunshme dhe jo transparente, Qeveria ende në detyrë dhe Bashkia Tiranë kanë nisur një proces shkatërrimi për pronat e qytetarëve në zonën e “Kombinatit” në Tiranë. Jam njohur me peticionin e dërguar nga një grup qytetarësh të kësaj zone dhe i kam kërkuar zyrtarisht, që prej muajit shkurt 2021, Qeverisë dhe Bashkisë Tiranë të vlerësojnë ankesat e parashtruara me objektivitet dhe paanshmëri. Deri tani asnjë angazhim serioz prej tyre, që të reflektojë zgjidhjen e çështjeve të ngritura me të drejtë nga këta qytetarë” shkruan zoti Meta.