Meta: Bashkim emergjent votash për reformën zgjedhore

Bashkim emergjent votash pozitë-opozitë për të përbyllur në një afat sa më të shkurtër kohor reformën zgjedhore, atë parlamentare dhe heqjen e imunitetit. Kështu është shprehur në një konferencë për shtyp me gazetarët kreu i LSI-së, Ilir Meta. Sipas tij ky duhet të jetë angazhimi i politikës shqiptare dhe jo pazaret politike për grupime klanesh për zgjedhjen e Presidentit të ri, duke shtuar se ky nuk është një proces ekonomik. Ndërkaq zoti. Meta ka rikonfirmuar dhe njëherë se forca e tij u qëdron dhe i përmbahet marrëveshjeve të nënshkruara.
“Zgjedhja e Presidentit është moment i rëndësishëm politik, në rast se do të jemi të gjithë në lartësinë që kërkon ky qëndrim politik. Ka skaduar afati dhe duhet me shpejtësi të përmbyllet reforma zgjedhore, parlamentare dhe heqja e imunitetit. Zgjedhja e Presidentit nuk është i rëndësishëm për plotësimin e një vendi, por me kuptimin e funksionimit të duhur të institucionit, sidomos për fushën e drejtësisë.
Do të ishte një gabim i madh nëse do shihej si proces ekonomik. LSI i qëndron marrëveshjeve të nënshkruara”tha ai.
E ndërsa ka theksuar se forca e tij i qëndron marrëveshjeve, nuk ka qenë shumë i prerë nëse do të votojë apo jo një kandidat të PD-së, duke theksuar se duhet të pervalojë interesi kombëtar mbi atë partiak. Meta gjithashtu ka shuar dhe kureshtjen e opinionit publik për një mundësi rikandidimi të tij për këtë post, duke theksuar se kjo ambicie do të mund të bëhet pjesë e axhendës shumë vite më pas.
Ndërkaq kreu i LSI-së përjashtoi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa theksoi se energjitë duhet të përqëndrohen në marrjen e statusit dhe festimet e 100 vjetorit të pavarësisë.
Në bashkëbisedimin me gazetarët nuk ka mbetur jashtë vëmendjes takimi i tij me kryesocialistin Rama në Durrës, të cilin ai e cilësoi terësisht privat dhe njerëzor.
Deklaratat zoti. Meta i bëri pas një takimi që pati me zv. Presidentin e Komisionit të Jashtëm në senatin italian Alberto Filipi, të cilin e falenderoi për kontributin e tij në forcimin e marëdhënieve mes dy shteteve.
Nga ana tjetër zoti.Filipi konfirmoi mbështetjen e Italisë për Shqipërinë në proceset e integrimit në Bashkimin Europian.