OBSH: Shqipëria, me fat që ka një kryeministër të përkushtuar për çështjet e shëndetësisë
Në konferencën për politikat shëndetësore, organizuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Drejtoresha e OBSH për Evropën, Suzana Jakab ka kujtuar se Shqipëria është një vend i bekuar që ka një kryeministër profesionist, i cili tregon kujdes për politikat shëndetësore
Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje gjatë konferencës për politikat shëndetësore, të organizuar nga OBSH-ja, se qeveria do të bëjë gjithçka që direktivat, projektet që OBSH diskuton me Ministrinë e Shëndetësisë, t’i konkretizojmë dhe t’i shndërrojmë në realitet për qytetarët shqiptarë. Berisha tha se Shqipëria ka shtuar përpjekjet e saj për një sistem shëndetësor dhe politika shëndetësore në përputhje me standardet e kohës, që ndjekin dinamizmin e zhvillimeve në këtë fushë. “Vendet anëtare të OBSH-së kanë shansin e madh sepse kanë në këtë organizatë organizatën e cila, duke sintetizuar arritjet, zhvillimet, problematikat më madhore të rajoneve, por dhe të planetit, po elaboron politika të cilat janë orientuese të shkëlqyera për qeveritë e vendeve anëtare për rajonet, kontinentet dhe më gjerë”- u shpreh Berisha. Në këtë kontekst, kryeministri theksoi se Shqipëria është një vend që ka përfituar dhe përfiton shumë nga OBSH, nga zyra evropiane e saj dhe jemi të vendosur të përshtatim tërësisht politikat tona në përputhje me orientimet e kësaj organizate. “S’ka mëdyshje se beteja e njeriut kundër sëmundjes është beteja më fisnike e tij, më e rëndësishme dhe natyrisht më përcaktuese në të gjithë performancën dhe aspektet e jetës së tij”, theksoi Berisha, duke shtuar se “shëndeti është aq sa biologjik, aq dhe social, ekonomik, politik. Pra do mund të zhvillohet, promovhet në nivelin e duhur vetëm atëherë kur ne të arrijmë ta trajtojmë atë me një trajtim multi disiplinor”. “Të dhënat faktojnë se 40% e vdekshmërisë së njeriut vijnë nga ndotja e mjedisit, ujit, ajrit, tokës. Është një detyrim i të gjithë sektorëve të përparësojnë shëndetin e qytetarëve si çështje kryesore. Ju garantoj se pa zërin tuaj, pa përpjekjen tuaj të fuqishme, kjo nuk ndodh dhe nuk do mund të ndodhë”, u shpreh Berisha, ndërsa shtoi se “ndjeshmëria është kushti më i rëndësishëm, në mënyrë që të ketë motivim nga të gjithë sektorët”. “Është në detyrën tonë të bëhemi promotorët kryesorë ndaj një përpalljeje shumë planëshe të shëndetit tonë”. “Ne kemi vendosur një sistem të shkëlqyer imunizimi. Dhe duhet ta konsolidojmë më tej që ai të mbetet një nga sistemet më të mira në Europë. Secili nga ne e ka të qartë se sëmundjet e pa transmetueshme ndikohen dhe mund të ndikohen fuqishëm nga masat parandaluese”- tha Kryeministri.
Duke u shprehur se s’mund të pranojmë nivelin e lartë të duhanpirjes apo indeksin e lartë të ndotjes së ajrit, Berisha theksoi se “ne duhet të bëjmë gjithçka për standardet më të mira mjedisore. Dhe ju jeni pa diskutim zëri i parë që duhet të ngriheni në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve. Janë bërë arritje shumë të mëdha në reforma. Një nga arritjet më të mëdha është rënia e vdekshmërisë foshnjore dhe ne do të bëjmë përpjekje që kjo të ulet edhe më tej”- tha më tej kryeministri.
Shqipëria, vend i bekuar që ka një kryeministër i cili tregon kujdes për politikat shëndetësore/“Shqipëria është një vend i bekuar që ka një kryeministër, i cili tregon një përkujdesje të veçantë për politikat shëndetësore”. Kështu është shprehur drejtoresha e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Europën Znj Suzana Jakab, gjatë vizitës së saj zyrtare në vendin tonë, ku ka vlerësuar përparimin e bërë gjatë viteve të fundit. Drejtoresha e OBSH-së falenderoi gjithashtu edhe Ministrin e Shëndetësisë për rolin drejtues në forcimin e sistemit shëndetësor. Paratë nuk e blejnë shëndetin, por është politika e drejtë që e përmirëson atë theksoi drejtoresha e OBSH-së për Europën gjatë konferencës së parë kombëtare për politikat shëndetësore ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Berisha. Shefi i qeverisë e njohu përfaqësuesen e lartë të shëndetësisë botërore me hapat që ka ndërmarrë vendi ynë në orientimin e politikave menaxheriale si në dixhitalizimin e sistemit ashtu edhe me përgatitjen e një plejade të re menaxherësh. Çështje tepër e rëndësishme e reformës së pandalshme shëndetësore kjo, e cila sipas Ministrit të Shëndetësisë Petrit Vasili do të vijojë me zbatimin e objektivave të rezolutës për përfshirjen e të gjitha njësive qeveritare në politikat shëndetësore që do të dale nga kjo konferencë e nivelit të lartë. Drejtoresha e Zyrës Rajonale të OBSH-së për Europën mori pjesë gjithashtu në nisjen e punimeve për instalimin e një tjetër aparature bashkëkohore për trajtimin e tumoreve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë atë të akseleratorit linear.