E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta-Berishës: Gati të votojmë ligjet, por të hyjnë në fuqi me Kuvendin e paszgjedhjve

TIRANË- Në ‘Ditën e Evropës’, kreu i LSI-së ka ripërsëritur apelin e tij ndaj dy krerëve të partive më të mëdha të vendit PD-PS, për të votuar 3 ligjet e integrimit.

Në një komunikim për gazetarët nga zyrat e selisë së LSI-së, kreu i kësaj partie duke i kthyer përgjigjie kryeministrit Berisha, sqaroi se opozita është e gatshme të votojë ligjet me kushtin e vetëm që ato të hyjnë në fuqi në nisjen e legjislaturës së re të Kuvendit të Shqipërisë në vjeshtë me qëllim shmangien e keqpërdorimit.

“Sot ditë e madhe për kombin tonë, por dhe kontinentin, por, edhe për gjithë shqiptarët pasi është dita e paqes integrimit dhe progresit të mbarë njerëzimit, ditë frymëzimi për bashkëpunim dhe integrim. Është për të ardhur keq që sot në vend që të merreshim me angazhime konkrete për të hedhur hap tjetër drejt BE, dëgjuam një retorikë të përsëritur akuzash, për fajësime, për bllokimin e procesit, ndërkohë që prej disa kohësh LSI ka propozuar një kompromis tepër të arsyeshëm që ndihmon për kapërcimin e ngërcit politik për miratimin e 3 ligjeve. Që konsiston në miratimin e tyre brenda përfundimit të mandatit të Parlamentit ekzistues, por me të vetmin ndryshim që ata të hyjnë në fuqi me Parlamentin e ri me muajin shtator. Kjo është argumentuar me rrezikun që vjen me keqpërdorimi me miratimin e ligjit për Gjykatën e Lartë, pra me rrezikun që sikurse e keni vënë re se disa emërime në postet me të larta kanë karakter të ngushtë partiak që nuk do i shërbente zbatimit të ligjit në frymë evropiane. 

Meta ftoi krerët e partive kryesorë në vend që të mblidhen ditën e enjte në orën 10:00 për të bashkërenduar qëndrimet dhe për të vendosur për miratimin e 3 ligjeve.

“Sot në këtë ditë të rëndësishme gjej rastin të ftoj edhe njëherë kreun e PD-së zotin Berisha në mënyrë të vecantë, zotin Rama dhe kolegët e tjerë që të takohemi, të shkëputemi 5 minuta nga fushata elektorale, të takohemi deri të enjten në orën 10:00 për të bashkërenduar miratimin e 3 ligjeve që ti përgjigjemi ftesës së BE dhe të shqiptarëve, duke hequr dorë nga akuzat që nuk prodhojnë progres për marrjen e statusit. Nuk ka nevojë për retorikë, por për kompromis”, shtoi Meta.

AKUZAT PËR SONDAZHIN ITALIAN
Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve në lidhje me sondazhin e kryer nga Instituti Italian “Piepoli’, i cili nxjerr fitues koalicionin e majtë me 9 % diferencë, Meta u shprehi bindur se diferenca do jetë më e thellë duke shtuar se anketimet janë bërë shumë kohë më parë.

“Jam i bindur se ‘Aleanca për Shqipërinë Evropiane’ është edhe më shumë se 9 % para koalicionit të djathtë, pas shpjegimeve që u dhanë nga përfaqësuesit e këtij institucioni prestigjioz. Anketimet janë bërë shumë më përpara dhe gjërat tani kanë ecur shumë shpjet”, tha Meta.

vijon

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›