Meta: Data e çlirimit s`mund të vendoset nga politika
Pas Partisë Socialiste edhe Lëvizja Socialiste për Integrim ka nderuar sot dëshmorët e kombit me rastin e 67-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë. Kreu i LSI-së Ilir Meta së bashku me përfaqësuesit e lartë të kësaj force politike zhvilluan sot homazhe në varrezat e Dëshmorëve dhe vendsosën kurora me lule tek monumenti “Nënë Shqipëri”.
Në fjalën e tij kreu i LSI-së Ilir Meta theksoi se 29 Nëntori është një ditë e rëndësishme për shqiptarët pasi ishte fitorja e luftës anti-fashiste nacional-çlirimtare ajo që i bëri të paprekshme themelet e pavarësisë së Shqipërisë.
“Jemi këtu për të shprehur mirënjohjen tonë për të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre. Në radhë të parë ndaj dëshmorëve dhe herojve të luftës që nuk kusryen as jetën e tyre për lirinë e atdheut. Të urojmë familjeve të dëshmorëve dhe të partizanëve dhe të gjithë popullit shqiptar gëzuar këtë ditë të lavdishme dhe i pavdekshëm qoftë kontributi dhe sakrifica e tyre dhe do të jetë i përjetshëm kujtimi i të rënëve” ka theksuar Meta.
Ai ka theksuar se LSI-ja nuk pajtohet me pjesën tjetër të koalicionit për t`i festuar në të njëjtën ditë të dyja festat ndërsa shtoi se për historinë nuk mund të vendosin partitë politike
“Është qëndrimi i tyre dhe ne nuk pajtohemi sepse ne mendojmë dhe besojmë që datën e atyre që kanë luftuar nuk mund ta vendosin gjenerat e mëvoshme dhe partitë politike. Faktet tregojnë se 29 Nëntori është shënuar si dita e çlirimit të vendit dhe absolutisht nuk duhet që emocionet politike të ngarkohen mbi historinë sepse nuk i bëjnë mirë as politikës dhe as historisë” ka theksuar Meta.
I pyetur se nëse LSI-ja vlerëson Partinë Socialiste për ta festuar ditën e çlirimit më 29 Nëntor, Meta theksoi se në lidhje me këtë ditë duhet të vlerësohen komunistët pasi ata kanë një peshë kryesore për çlirimin e vendit.
“Ne nuk kemi komplekse të vlerësojmë. Ne vlerësojmë komunistët shqiptarë pasi janë ata të cilët kanë mbajtur peshën kryesore në luftën për çlirimin e atdheut. Ne duhet të jemi realist dhe historia nuk bëhet përditë apo çdo katër vjet” ka theksuar më tej Meta.