Dita e Çlirimit, Rama:Turp për këdo që do e ndryshonte
Ndryshe nga mazhoranca e cila festoi dje të dyja festat, opozita ka festuar sot 67-vjetorin e çlirimit të Shqipërisë.
Kryetari i Partisë Socialiste i shoqëruar dhe nga përfaqësues të opozitës kanë zhvilluar sot homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve dhe kanë vendosur kurora me lule tek monumenti “Nënë Shqipëri”.
Në fjalën e tij kreu i opozitës Rama ka theksuar se Dita e Çlirimit të vendit nuk mund të ndryshohet por do të mbetet e tillë përgjithmonë pasi u kujton shqiptarëve luftën e rilindasve të tyre.
"Thjesht fare Gëzuar ditën e Çlirimit të vendit. Ditën e pandryshueshme dhe të patjetërsueshme të triumfit mbi të keqen, ditën që u kujton shqiptarëve që në orët e këqija të historisë rilindasit tanë dhe veteranët u vendosën në anën e duhur të historisë” ka theksuar Rama.
Ai ka shtuar se askush nuk mund ta fshijë nga kujtesa dhe as nga librat e historisë këtë ditë pasi ata të cilët do të guxonin, do të turproheshin dhe do të dukeshin qesharak.
Ndërkohë kryeministri Berisha, dje gjatë festimit të 28 nëntorit, iu kujtoi shqiptarëve se data 28 është gjithashtu edhe festa e çlirimit të vendit. “Por sot nderojmë një datë tjetër të rëndësishme, çlirimin e Shqipërisë, ditë e cila do të shndrisë gjithmonë në historinë tonë kombëtare. Lufta Nacional Çlirimtare përbën një nga faqet më të ndritura të historisë së kombit shqiptar. Këta burra të thinjur që janë sot këtu së bashku me ne, mbushën fushat, kodrat, malet e Shqipërisë, rrokën armët dhe u përballën me armikun më të egër që kohërat kishin njohur, luftuan e çliruan vendin dhe renditën Shqipërinë në anën e drejtë të historisë së njerëzimit” theksoi Berisha.