Meta: Diversionet e Berishës skanë të ardhme. Qëllimi ynë është largimi i Doktorit
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, doli në një konferencë për shtyp për të bërë sërish thirrje për votimin e tre ligjeve të integrimit në Kuvend.
Meta akuzon kryeministrin Sali Berisha se po pengon miratimin e tyre.
Megjithatë, interesi i medias ka qenë në lidhje me deklaratat e kandidatit të LSI në Berat, Nasip Naço, se Meta do jetë kryeministri i ardhshëm.
Objektivi kryesor i LSI është fitorja e Aleancës për Shqipërinë Europiane më 23 qershor dhe arritja e një rezultati historik pasi i tillë do jetë. Lidhur me deklarata të caktuar, ato nuk na shmangin nga objektivat kryesore që ne kemi. Koalicioni është në sintoni të plotë dhe me një rritje të jashtëzakonshme të rritjes së bashkëpunimit që thellon fitoren, tha Meta.
I pyetur nëse marrëveshja me kryetarin e PS, Edi Rama, parashikon edhe kush do jetë kryeministër, Meta tha: Ne kemi rënë plotësisht dakord që Doktori të mos jetë më kryeministër.
Sërish Meta përsëriti se diferenca në zgjedhje do jetë e jashtëzakonshme, mbi 200 mijë vota.
Çështjet e tjera janë në përputhje me normat dhe rregullat e demokracisë, tha Meta.
I pyetur për deklaratat e bëra nga Berisha se Meta kërkon të bëhet kryeministër, kreu i LSI tha: Diversionet e Berishës brenda të majtës apo opozitës nuk kanë asnjë të ardhme. Ai arriti të qëndrojë për një kohë të gjatë në pushtet falë këtyre problemeve. Tani fillon një epokë e re.
Zoti Berisha ka një problem të madh, pasi nuk ka vullnetin të votojë tre ligjet gjatë kësaj kohe pasi është i kompleksuar se ky propozim vjen nga LSI-ja, theksoi Meta.
Unë ju falënderoj dhe shpresojmë që z. Berisha të kthehet nga mitingu i Gjirokastrës duke reflektuar dhe ti qëndrojë atij angazhimi që bëri dje në Vlorë, që të bëjmë çdo gjë për të marrë statusin e vendit kandidat brenda vitit. Ajo që ne duhet të bëjmë nuk është diçka e jashtëzakonshme, duhet të bëjmë një kompromis fare të thjeshtë. Nuk e kuptoj në fakt se çfarë problemi i krijon ky kompromis z. Berisha. Ai thotë që do të fitojë apo jo? Le ti miratojmë këto ligje tani dhe ai mund ti zbatojë vetë në shtator. Por duket qartë që bindja në humbjen plebishitare që po e pret e ka kthyer dhe po e kthen në një pengesë serioze për të ndihmuar procesin e integrimit evropian të vendit, gjë që nuk është e mirë për atë trashëgimi që ai do të lërë pas 23 qershorit në jetën politike të vendit. Nuk duhet të iki nga qeveria si një bllokues i procesit të miratimit të tre ligjeve dhe i vazhdimit të rrugëtimit tonë të përbashkët në Bashkimin Evropian. Ne edhe pas 23 qershorit do të bashkëpunojmë me opozitën e nesërme, pra me Partinë Demokratike, që ti çojmë përpara të gjitha reformat që kërkon integrimi evropian i vendit, e përfundoi deklaratën kreu i LSI./ep