E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Do të bashkëpunojmë për t’i dhënë fund pretendimeve për trafik organesh

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, deklaroi sot se Qeveria e Shqipërisë është e hapur dhe e interesuar që ta çojë deri në fund pretendimet për trafik organesh në Shqipëri gjatë periudhës së luftës në Kosovë. “Lidhur me këtë çështje Qeveria e Shqipërisë ka bashkëpunuar ngushtë dhe pa asnjë rezervë me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe me grupin e posaçëm hetimor që ka vizituar Shqipërinë në vitin 2003, pikërisht për të hetuar këto pretendime, të cilat rezultuan të pavërteta”, komentoi Meta deklaratat e fundit për trafik organesh. Ai theksoi “gatishmërinë dhe vullnetin e plotë të Qeverisë së Shqipërisë për të bashkëpunuar pa rezerva me institucionet ndërkombëtare të angazhuara në zgjidhjen e kësaj çështje, me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës dhe Këshillin e Evropës, në mënyrë që t’i jepet një përgjigje përfundimtare këtyre pretendimeve, që do të cilësoja si të pamotivuara dhe të pabazuara në prova thelbësore”. “Qeveria e Shqipërisë është e hapur dhe e interesuar që ta çojë deri në fund këtë proces, duke mbyllur një herë e mirë kapitullin e pretendimeve se në Shqipëri janë kryer krime të tilla”, u shpreh numri dy i Qeverisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›