E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Dorëheqjen e jap vetëm kur të më mbarojë mandati

06/07/2010 Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta, ka deklaruar dje se nuk ka ndër mend të japë dorëheqjen, sepse këtë gjë e kërkon Partia Socialiste, si pasojë e arrestimit të një personi që punonte në ministrinë që drejton. “Dorëheqjen do ta japim kur të mbarojë afati i përcaktuar me Kushtetutë, që i bie edhe tre vjet të tjera, pasi kuptohet se askush nuk mund të qëndrojë në një detyrë pa u rizgjedhur në mënyrë demokratike”, ka nënvizuar Meta. Ai ka thënë se arrestimi i punonjësit të MPJ-së tregon se Qeveria vërtet lufton me tolerancë zero korrupsionin. “Për këtë Qeveri, toleranca zero kundër krimit dhe kundër korrupsionit është e pandalshme, dhe se nuk do të kursehet askush”, tha Meta.

Berisha për koalicionin

Kryeministri Sali Berisha ka vlerësuar si pozitiv vendimin e marrë një vit më parë për të ftuar Lëvizjen Socialiste për Integrim në koalicionin qeverisës. Në këndvështrimin e kreut të Qeverisë, koalicioni i quajtur “për integrimin e vendit” ka qenë i suksesshëm. Berisha la të kuptohej se aleanca me LSI-në do të vazhdojë gjatë. “Koalicioni jo vetëm ia doli t’i përmbahet parimeve të shpallura, por ka përcaktuar veprimtarinë e tij në një perspektivë afatgjatë të madhe, në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë dhe Shqipërisë”, tha ai. Për shefin e ekzekutivit, mazhoranca po fakton çdo ditë për çdo qytetar shqiptar se integrimi është qëllimi kryesor i Qeverisë. “Por, në qoftë se ëndrra evropiane e shqiptarëve është edhe projekti i të gjitha projekteve, nuk mund të anashkalohen dhe arritje të tjera të mëdha të këtij koalicioni në të gjitha fushat. Në radhë të parë në drejtim të shtetit ligjor, si kusht i të gjitha kushteve për liritë dhe të drejtat e qytetarëve; promovimin e mëtejshëm të reformave ekonomike, si një mekanizëm kryesor për një zhvillim të qëndrueshëm të vendit dhe në kohërat më të stuhishme të financave dhe ekonomisë botërore; mbajtjes, respektimit të parimeve të mëdha të kohezionit social dhe në kushtet e vështirësive të mëdha”, tha Berisha.

Kundërpërgjigjja e LSI

Balla të sqarojë se përse u ndalua në Bullgari

Lëvizja Socialiste për Integrim konsideron si spekulative dhe dashakeqe deklaratat e opozitës, e cila ka kërkuar dorëheqjen e kreut të kësaj partie nga posti i ministrit të Jashtëm. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, në reagimin ndaj deklaratës së deputetit socialist Taulant Balla, tha se ky i fundit, për shkak të detyrave që ka kryer, zotëron informacion të detajuar dhe të provuar të veprimtarisë kriminale dhe të trafiqeve që qarkullojnë në hapësirën Ballkanike dhe më gjerë. Zyrtari i lartë i Lëvizjes, teksa konsideroi si të pandershme deklaratën, nuk ngurroi të lëshonte një thumb në drejtim të deputetit të PS-së. “Deklarata e z. Balla është spekulative dhe këtu qëndron padyshim edhe imoraliteti i qëndrimit. Nga informacionet që unë kam, personat për të cilët flet zoti Balla nuk kanë lidhje me trafiqe dhe me situata për të cilat dhe Balla është në dijeni, dhe për të cilat është ndaluar në Bullgari, për shembull”, deklaroi Rama. Sipas tij, zëdhënia nga pozita e sponsorizuar prej një enturazhi, që vepron me prapavijë kriminale dhe që servilet për fat të keq nën ombrellën apo flamurin e PS-së, nuk mund të shërbejë për të kontaminuar në mënyrë të qëllimshme me deklarata të tilla spekulative as përfaqësuesit e LSI-së në qeverisje dhe as qeverisjen e vendit. Sekretari i LSI-së tha se tashmë është koha që fjala t’i lihet drejtësisë. “Është koha që spekulantë politikë të mos përmendin emra individësh të parëndësishëm apo jo në hierarkinë e administratës shtetërore, për të krijuar situata politike të panevojshme, sepse duke qenë spekulativë dëshmojnë në fakt jo pjekuri politike”, deklaroi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›