Berisha porosit administratën: Punoni me përkushtim deri në formimin e qeverisë
Në ditën e tij të parë pas dorëheqjes nga Partia Demokratike, kryeministri Sali Berisha ka vijuar axhendën e tij të përditshme. Eskorta e kryeministrit u drejtua si zakonisht pranë godinës së Kryeministrisë, ku e nisi ditën e tij me një takim me përfaqësues të kompanisë azere të gazit e naftës SOCAR dhe të Konsorciumit të Shah Deniz. Në këtë takim përfaqësuesit e njohën zyrtarisht kryeministrin Berisha për përzgjedhjen përfundimtare të projektit të gazsjellësit Trans Adriatik – TAP. Një projekt ky për të cilën kryeministri kishte lobuar fuqishëm për më shumë se një vit. Në mesditë, ashtu siç ishte bërë e ditur edhe një ditë më parë, u zhvillua mbledhja e Këshillit të Ministrave. Një mbledhje të cilën kreu i qeverisë e përqendroi veçanërisht tek projekti TAP, ndërkohë që përcolli edhe një mesazh për të gjithë punonjësit e administratës.
Administrata
Kryeministri Berisha e cilësoi administratën si pasuria më e madhe e vendit, ndërsa u kërkoi atyre që të punojë me përkushtim deri në formimin e qeverisë së re. Detyra jonë është që deri ditën që Parlamenti të votojë kabinetin e ri dhe të dekretohet tek presidenti, qeveria dhe administrata duhet të funksionojë me të gjitha kapacitetet. Pra çdo lloj demoralizimi është shumë i pandershëm, është shumë i padenjë, është i papranueshëm. Administrata e këtij vendi është një pasuri e madhe kombëtare dhe duhet ta tregojë veten, të funksionojë me kapacitet të plotë dhe përkushtim të madh deri në ditën që do të kryesojmë, deri në ditën që qeveria tjetër do të përzgjedhë mënyrën e organizimit dhe të motivimit të administratës, tha kryeministri Berisha. Në përfundim, kryeministri Berisha tha se 73 përqind e maturantëve përfitojnë vende studimi me kohë të plotë, ndërsa miratoi edhe kuotat e reja për universitete për vitin e ri akademik.