E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: E ardhmja vjen vetëm me punë, të nxitojmë për integrimin

konventa-e-grave-metaTiranë- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zhvilloi një takim me strukturat e LSI-së në Rrethin e Pogradecit për ti falënderuar për rezultatin shumë të mirë që LSI mori në këtë rreth në zgjedhjet e 23 qershorit.

Meta në fjalën e tij ka deklaruar se LSI-ja ishte e bindur në rezultatin e saj në Pogradec dhe në të gjithë Shqipërinë.

Ju falënderoj përzemërsisht për angazhimin dhe për kontributin tuaj për rezultatin tepër pozitiv që ne arritëm në të gjithë Rrethin e Pogradecit, afro 6 mijë vota, një rezultat i cili mban një peshë të veçantë në të gjithë suksesin që ne arritëm në Qarkun e Korçës por edhe në të gjithë vendin. Kanë qenë zgjedhje të vështira por ne kemi qenë të përgatitur dhe kemi pasur besim të plotë se këto do të ishin zgjedhje të cilat do të tregonin vitalitetin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, fuqinë e saj, perspektivën që ajo ka dhe që do ti shërbejë të gjithë vendit,- tha ai.

Më teja i u shpreh se kontributi i LSI-së ka qenë i jashtëzakonshëm për të gjithë koalicionin e Aleancës për Shqipërinë Evropiane. Sipas tij 180 000 vota kanë qenë vendimtare për këtë, për këtë fitore domethënëse, për këtë rrotacion tepër të vendosur.

Natyrisht që kontributi i LSI-së nuk ndalet këtu përkundrazi 23 qershori është vetëm stacioni i radhës në angazhimin tonë si forcë politike për të transformuar vendin, për ta bërë atë një vend plotësisht evropian, të standardeve evropiane. Ne i kemi treguar aftësitë tona në të kaluarën dhe do ti tregojmë akoma më shumë tani. 180 000 vota dhe 16 mandate është një rezultat i jashtëzakonshëm,- vijoi ai.

Në përfundim Meta, deklaroi se Lëvizja Socialiste për Integrim tani ka marrë shpejtësinë e duhur për të ecur drejt atyre objektivave që do ta shndërrojnë në një forcë akoma edhe më të fuqishme, akoma edhe më shpresëdhënëse, në një garanci të fuqishme për normalitetin e jetës politike në vend, për stabilitetin e vendit, për zhvillimin e tij, për integrimin e tij e sidomos për punësimin e pogradecarëve, të të rinjve dhe për punësimin e të gjithë shqiptarëve. Sipas tij prosperiteti dhe e ardhmja ndërtohen vetëm me punë dhe është detyra jonë në radhë të parë ti japim mundësi njerëzve që të punojnë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›