E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta-Hyseni: Kosova sjell stabilitet në rajon

Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun kosovar, Skënder Hyseni, i cili ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare, ka deklaruar se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera. Duke e quajtur të pakthyeshme pavarësinë e Kosovës, Meta ka deklaruar se Shqipëria do ta mbështesë atë për të kërkuar njohje të reja, ndërsa ka shtuar se Kosova është faktor stabiliteti në rajon dhe si e tillë ka mbështetjen e plotë të Shqipërisë. Dua të evidentoj edhe një herë ecurinë e deritanishme të njohjes së Kosovës, duke shprehur besimin se pavarësia e saj është e pakthyeshme dhe se procesi i njohjes së saj edhe pse i vështirë do ketë edhe njohje të tjera. Fakti që është njohur nga shtetet më të fuqishme të NATO-s, fakti që është pjesëtare e FMN-së dhe BB-së është një tregues i madh që edhe në të ardhmen do ketë njohje të tjera. Unë i premtova Hysenit se Shqipëria do ta mbështesë për njohje të reja në arenën ndërkombëtare, pasi Kosova e pavarur është e rëndësishme si faktor stabiliteti në rajon, - vijoi ndër të tjera Meta. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me të gjithë, përfshi edhe Serbinë. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është tek bashkëpunimi, - kështu deklaroi ministri i Jashtëm kosovar, Skënder Hyseni, gjatë konferencës së përbashkët me homologun e tij, Ilir Meta. Duke nënvizuar se Kosova mbetet e hapur për të bashkëpunuar si e barabartë me Serbinë fqinje, Hyseni shtoi se vendi i tij nuk ka asnjë arsye për të mos e parë të ardhmen me optimizëm. Periudha pas GJND-së është shumë e rëndësishme dhe ne në Kosovë e shohim këtë periudhë me shumë optimizëm dhe me pritje që do të ketë një avancim të njohjeve të pavarësisë së Kosovës, - u shpreh kryediplomati shqiptar, i cili ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›