E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beteja për Kompromis

Prania e Ministrit të Jashtëm të Spanjës, Miguel Angel Moratinos dhe Ministrit të Jashtëm të Turqisë, Ahmet Davutoglu në Beograd të martën, është rastësi.

Kështu u është përgjigjur të hënën informacioneve të mediave në Beograd Christina Gallach, Zëdhënëse e Presidencës spanjolle të BE’së.

Mirëpo, ajo nuk e ka mohuar mundësinë se dy ministrat do të përpiqen të gjejnë formulën për pjesëmarrjen e të gjithë akterëve të rajonit në Samitin BE-Ballkani Perëndimor.

Spanja, si kryesuese e Bashkimit Europian, planifikon që Samiti i Sarajevës të mbahet në fillim të qershorit, por akoma nuk dihet nëse diplomatët nga Madridi do t’i bindin të gjitha palët të marrin pjesë në këtë samit, sidomos për shkak të pozicioneve të Prishtinës dhe Beogradit rreth statusit dhe problemeve të tjera.

Zëdhënësja Gallach ka thënë se Shefi i diplomacisë spanjolle do të vizitojë disa shtete të Ballkanit, por ka thënë se nuk e di agjendën e saktë.

“Z. Moratinos do të udhëtojë në vende të ndryshme të Ballkanit. Nuk kam agjendë të saktë se ku, por e di se z. Moratinos do të udhëtojë në ditët e ardhshme më së paku në dy tri vende në rajonin e Ballkanit”, ka thënë Gallach, për Express, të hënën.

Mediat serbe kanë vlerësuar se takimi trelateral (Moratinos, Davutoglu, Jeremic) do të jetë kyç rreth gjetjes së formulës së re për bashkëpunim më dinamik rajonal duke mos përjashtuar asnjë vend të Ballkanit Perëndimor.
Zëdhënësja e Presidencës së BE’së, Christina Gallach ka thënë se prania e dy ministrave, spanjoll dhe turk, në kryeqytetin serb është rastësi. Ajo ka thënë se dy ministrat bashkëpunojnë ngushtë duke mos mohuar se ata dy mund të angazhohen për çështjen e Samitit të Sarajevës.

“Sa i përket Ministrit turk, ju e dini se Bashkimi Europian dhe në veçanti Spanja punon ngushtë me Turqinë dhe Ministrin e Jashtëm turk. Por në kuptim të pranisë (në Beograd) është më shumë një koincidencë”, ka thënë ajo.
Gallach, po ashtu, nuk ka mundur të thotë nëse Moratinos do ta vizitojë edhe Prishtinën. Këtë, të hënën, nuk kanë mundur ta thonë as institucionet e vendit.

Zëdhënësi i Presidencës, Xhavit Beqiri dhe ai i Qeverisë, Memli Krasniqi kanë thënë se gjatë ditës së hënë në këto dy institucione nuk ka arritur ndonjë kërkesë nga diplomati në fjalë për takim me lidershipin e vendit.

Takimi i fundit rajonal në të cilin ka marrë pjesë Kosova, është ai i Bërdos, të cilin e ka bojkotuar Serbia, edhe pse aty ka qenë i pranishëm Shefi i UNMIK’ut, prania e të cilët është planifikuar për të relativizuar praninë shtetërore të Prishtinës.

Sipas burimeve, minimumi i palës kosovare për Samitin e Sarajevës është që të shkojnë me mbishkrimin “Kosovo”, që do të thotë se pala kosovare kundërshton mundësinë e përfaqësimit si “Kosovo/UNMIK” apo “Kosovo 1244”.

Sido që të jetë, Serbia kundërshton përfaqësimin e Kosovës si shtet.

Por, cili është modeli që preferohet nga Presidenca spanjolle kur dihet se Madridi nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe nëse kihen parasysh deklarimet e kryediplomatit spanjoll se prania e Kosovës në samit duhet të ndodhë duke respektuar të drejtën ndërkombëtare.

Gallach thotë se Presidenca angazhohet për një model që nënkupton praninë e të gjitha palëve në samit.

“Ne jemi për një model që lejon praninë e të gjithë akterëve që janë fondamentalë në Ballkan. Kjo nënkupton edhe Beogradin, edhe Prishtinën. Për ne ky është modeli më i preferuar dhe janë disa opsione që jemi duke i shikuar dhe shpresojmë se do të arrihet një marrëveshje”, ka thënë Gallach duke theksuar se nuk “dëshiron të hyjë në detaje”.

“Samiti nuk do të mbahet vetëm për hir të mbajtjes, por për të siguruar se i tërë rajoni i Ballkanit do t’i afrohet BE’së dhe që të bëhet me stabil politikisht, në mënyrë që të mund të ecet me zhvillimin ekonomik”.

Sipas njoftimeve të mediave serbe, pas këtij takimi trelateral janë planifikuar konsultime në Bruksel, ndërmjet anëtareve të BE’së dhe administratës së Brukselit. Ndërsa finalizimi pritet gjatë vizitës së Ministrit të Jashtëm të Italisë, Franco Frattinit, në Beograd, javën e ardhshme. Ministria e Jashtme e Serbisë i ka konfirmuar takimet që janë caktuar, por ka refuzuar të komentojë lidhur me këtë temë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›