Kërcënimi i Ramës, PD i kërkon prokurorisë të nisë hetimet
Paloka: Për thirrje konfliktuale prokuroria bën hetime
Në momentin që bëhen thirrje konfliktuale për rebelim dhe ushtrim të dhunës për përmbysjen e institucioneve të shtetit ligjor, prokuroria duhet të ndërhyjë për një hetim të plotë, pasi këtë ia dikton ligji. Këtij momenti ligjor iu referua dje Partia Demokratike, teksa kërkoi hetim të plotë ndaj kërcënimeve të Ramës, duke mos përjashtuar edhe mundësinë e denoncimit në organin e akuzës. PD-ja i kujtoi kryeprokurores Ina Rama që të bëjë objekt hetimi kërcënimet e kryesocialistit Edi Rama dhe aleatëve të tij për rrëzim të qeverisë me çdo mjet. Në një situatë të tillë, demokratët i kërkojnë Prokurorisë së Përgjithshme të nisë hetimin për kërcënimin që bëri z. Rama përmes protestave nga ku paralajmëroi edhe rebelim të popullatës për rrëzimin e qeverisë Berisha. Sipas deputetit Edi Paloka, prokuroria e ka për detyrë të hetojë thirrje të tilla konfliktuale dhe jo të presë denoncimet. Paloka e cilësoi kongresin e PS-së dhe gjuhën e përdorur të turpshme.
Mirë është që të kihen parasysh nga kushdo këto thirrje dhe deklarime të Ramës, edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila nuk duhet të presë të ketë denoncime, sepse e ka detyrë të saj ndjekjen e thirrjeve të tilla për konflikte. Rama tashmë është vijëzuar si njeriu i konfliktit të Shqipëri, - theksoi z. Paloka. Por deputetët e mazhorancës nuk duken aspak të shqetësuar për rrezikun e përplasjes në 1 maj për shkak të shtyrjes së protestës së socialistëve edhe me një ditë. Ne festa bëjmë ku të duam dhe kur të duam. Nuk na shqetëson fare fakti se ku do të jetë Edi Rama në atë moment, - u shpreh z. Paloka. Reagimi i demokratëve vjen pas thirrjeve kërcënuese të kryesocialistit Edi Rama në kongresin e jashtëzakonshëm të PS-së: "Ejani në rrugën e protestës për ta përshpejtuar fundin e betejës. Nuk do të ndalemi deri në largimin e qeverisë, në rast se qeveria nuk do të largojë publikisht duart nga kutitë ku mban mbyllur zgjedhjet dhe zgjidhjet për demokracinë. Dy ditë më parë, Edi Rama njoftoi se protesta e socialistëve do të nisë në 30 prill dhe do të vazhdojë në 1 maj, ditë kur demokratët kanë përcaktuar dhe mitingun e tyre festiv.
Rama revolucion? PR: Do të mbrojmë institucionet
Republikanët denoncojnë ashpër thirrjet kërcënuese të socialistëve se do të marrin pushtetin, qoftë edhe me dhunë. Sekretari politik i Partisë Republikane, z. Arian Madhi, i në emër të republikanëve shqiptarë iu kundërpërgjigj kryesocialistit Edi Rama se nuk do ta lejojnë ndrydhjen e demokracisë dhe se shumica e shqiptarëve janë të vendosur të mbrojnë institucionet e shtetit ligjor. Në kongres Edi Rama bëri apel që nëpërmjet revolucionit dhe mosbindjes civile, të rrëzojë qeverinë. Një qëndrim i tillë është sa arkaik dhe antievropian. Ai është kundër qëllimeve dhe interesave të vendit dhe e vendos opozitën në dobi të interesave të qarqeve të ngushta kundër Shqipërisë, - u shpreh z. Madhi. Ne, - shtoi ai, - e sigurojmë z. Edi Rama dhe pasuesit e tij se, nëse ata janë të aftë të marrin vendime për të ndrydhur demokracinë e brendshme të partisë së tyre, nuk do të kenë asnjë shans të pengojnë rrugën e shumicës së shqiptarëve drejt progresit dhe integrimit të tyre në familjen e madhe evropiane. Ne, - tha zyrtari i PR-së, - jemi më shumë se kongresi i PS-së, ne jemi më shumë se anëtarësia e PS-së, ne jemi me shumicën e shqiptarëve dhe jemi të vendosur të mbrojmë dhe realizojmë ëndrrën e tyre. Sipas Arian Madhit, kongresi i Partisë Socialiste tregoi qartë se kjo parti dhe drejtuesi i saj janë në konfuzion total të ideve dhe veprimeve politike, ku Edi Rama rendi sa nga e majta në të djathtë, në mungesë të një platforme apo tezash politike, ai nuk tha asgjë konkrete në këtë kongres përveç fjalëve dogmatike. Edi Rama e mblodhi kongresin e PS-së për qëllimin e vetëm tu tregojë anëtarëve të partisë së tij dhe paturpësisht edhe opinionit shoqëror se ai ka akoma mbështetës në Partinë Socialiste, të cilët i japin atij mundësi për të kontrolluar orientimin dhe veprimin politik të partisë së tij. Në kongresin e ndrydhjes së demokracisë së brendshme, në kongresin e frymëzimit të protestave përkundrejt progresit që ka arritur vendi ynë, Edi Rama me bekimin e kongresit realizoi misionin për të cilin ai thirri dhe këtë kongres, për të përcaktuar se kush ishin armiqtë brenda partisë së tij, duke i cilësuar ata si cinikë dhe të pavlerë. Ai në mënyrë të paskrupullt dhe teatrale vendosi veten në rolin e plebeut të varfër për të treguar se si ai njeh dhe i dhemb shpirti për hallet e njerëzve, - theksoi z. Madhi.