Opozita bllokon edhe ligjin për “nëpunësin civil”

PS rikonfirmon kushtet: Nuk votojmë ligjet pa u zgjidhur çështja e Fierit
Opozita ka braktisur sërish komisionin e ligjeve, ku po diskutohej projektligji për nëpunësin civil, ligj i cili kërkon shumicë të cilësuar në parlament.
Deputetët e opozitës janë larguar nga komisioni me arsyetimin se ata do të marrin pjesë në shqyrtimin e ligjit, vetëm pasi të jetë zgjidhur çështja e qarkut të Fierit.
“Jemi gati të shqyrtojmë ligjet me 3/5, por më parë duhet të zgjidhet çështja e Fierit. Opozita nuk merr pjesë në shqyrtimin e ligjit për nëpunësin civil”- tha Xhafaj.
Nga ana e tij, kreu i komisionit të ligjeve Ilir Rusmali ka deklaruar se komisioni nuk mund ta heqë shqyrtimin e projekligjit nga rendi i ditës pasi është në kundërshtim me rregulloren.
“Deklaratat e opozitës po i marrim si kërkesë për heqjen e ligjit nga rendi i ditës së Komisonit të Ligjeve. Për diskutimin e ligjit, ne na urdhërojnë ligjet dhe rregullorja e Kuvendit por kush e urdhëron opozitën për të bllokuar dhe kërcënuar? Në Komisione punohet për të bërë ligje”- tha Rusmali.
Ndërkaq Komisioni i Ligjeve ka shtyrë diskutimin për anëtarët e KQZ-së.