Meta: Kandidatura e Vishës, dinjitoze. Berisha e Rama të ulen në tryezë pa praninë e mediave
Ilir Meta ka vlerësuar kandidaturën e opozitës për në KLD, Ardian Visha, duke thënë se ishte një kandidat dinjitoz. Kandidati i opozitës u paraqit me dinjitet edhe në komisionin parlamentar ku shprehu bindjet për shumë çështje të ndryshme. Përpjekja për ta shndërruar votimin në një sfidë për shumicën nuk është i drejtë dhe mund të kishte patur pasoja të tjera nëse situata do të kishte qenë me e çliruar, këmbënguli Meta.
Lidhur me mospjesëmarrjen time dhe dy kolegëve të tjerë në votim dua të them se nuk kishte votë të përcaktuar dhe as vendim, tha Meta, duke shtuar se mungesa e pjesëmarrjes shpjegohet me faktin e thjeshtë dhe rrethanat ku janë zhvilluar ngjarjet. Ne kemi qenë në periferi të zhvillimeve dhe u futëm me vonesë në sallë. Aty ka patur një debat, ka ndodhur votimi dhe ka përfunduar, tha Meta për Top Story.
Ndërkohë, ai ka thënë se një takim mes Berishës dhe Ramës, pa praninë e kamerave, do të ishte diçka pozitive.
Nëse Rama dhe Berisha do të takoheshin pa praninë e kamerave do të ishte diçka shumë pozitive. Ka nevojë për përgjegjësi maksimale për momentet ku ndodhemi dhe për vendime të përgjegjshme dhe të përbashkëta, tha Meta, ndërkohë që u shpreh se nuk merr përsipër që ti ulë ata në një tryezë.