Meta: Kodi Zgjedhor, opozita të reflektojë

Sipas Metës, pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve, opozita nuk po angazhohet për reformimin e sistemit elektoral
TIRANË - Ministri i Jashtëm dhe njëkohësisht zëvendëskryeministri Ilir Meta ka kërkuar dje që opozita të bëhet pjesë e reformimit të Kodit Zgjedhor, pasi me qëndrimin e deritanishëm ajo po tenton aplikimin e një politike bllokuese dhe destruktive për proceset integruese të vendit. Meta vuri në dukje se pavarësisht apelit të ndërkombëtarëve se kryerja e reformës zgjedhore do t'i jepte fund problemeve të zgjedhjeve të kaluara.
"Edhe vetë fakti që për fat të keq Partia Socialiste nuk angazhohet për reformën zgjedhore, e cila tashmë, sipas të gjithë partnerëve ndërkombëtarë, do t'i japë zgjidhje përfundimtare shqetësimeve lidhur me transparencën e proceseve në të kaluarën, tregon që edhe një herë synohet përmes një politike bllokuese, bojkotuese dhe pa e tepruar do të thosha destruktive, dëmtohen proceset integruese, dëmtohet funksionimi i institucioneve", - tha dje Meta.
Duke qenë se ndryshimet në Kodin Zgjedhor kërkojnë një shumicë të cilësuar për t'u miratuar në Kuvend, Meta ka insistuar që opozita të kontribuojë me votat e saj, ndërsa për sa i përket ligjeve që kërkojnë një shumicë të thjeshtë, Meta nënvizoi se miratimi i tyre mund të bëhet edhe me votat e mazhorancës. "Absolutisht, që ky konsensus duhej të jepej me kohë, pasi mendoj se opozita nuk është se po i jep konsensusin qeverisë për këtë çështje.
Opozita e ka për detyrë, pasi këto janë çështje që kanë të bëjnë me integrimin europian të vendit. Për qeverinë këto nuk janë të domosdoshme për funksionimin e saj, pasi dihet që qeveria me 71 deputetë, falë dhe ndryshimeve kushtetuese që bënë në 21 prill, që ne i kemi kundërshtuar, është shumë solide për funksionimin e saj", - u shpreh ai.