PD: Komision hetimor për masakrën e Tivarit

Mazhoranca nis mbledhjen e firmave të deputetëve për ngritjen e komisionit hetimor, nisma depozitohet sot në Kuvend
Komisioni do të drejtohet nga mazhoranca dhe ka 13 anëtarë, 7 nga PD-ja dhe 6 nga PS-ja
TIRANË - Në një kohë kur faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje për zgjidhjen e krizës politike, mazhoranca qeverisëse po tenton që t'i shmanget zgjidhjes së situatës me opozitën, duke iniciuar së fundmi ngritjen e një komisioni hetimor mbi masakrën e Tivarit, një ngjarje e cila ka ndodhur rreth 65 vjet më parë.
Masakra e Tivarit ka ndodhur në mars 1945, kur ushtria serbe vrau në pritë partizanët nga Kosova. Hetimi i kësaj ngjarjeje vjen në një moment kur marrëdhëniet midis shumicës në pushtet dhe opozitës gjenden në një krizë institucionale, pasi vetëm dje grupi parlamentar socialist shprehu qëndrimin e tij për të kushtëzuar sërish marrëdhëniet me Kuvendin.
Nga ana tjetër, kriza politike është ulur këmbëkryq prej një viti dhe tre ditësh. Por, pavarësisht këtij qëndrimi të opozitës, mazhoranca ka nisur mbledhjen e firmave për krijimin e komisionit hetimor për të trajtuar dhe zbardhur masakrën e Tivarit. Si gjithmonë, në situata të tensionuara politike, kryeministri Berisha nxjerr nga thesi i të kaluarës ngjarje dhe ndodhi që ngjallin kureshtjen e popullit.
Sipas njoftimit për shtyp të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, theksohet se komisioni do të ketë në përbërjen e tij 13 anëtarë, ku 7 prej të cilëve do të jenë përfaqësues të mazhorancës dhe 6 prej tyre përfaqësues të spektrit opozitar.
Drejtimin e këtij komisioni do ta kryesojë një përfaqësues i Partisë Demokratike, ndërsa ditën e sotme pritet që nisma të depozitohet në sekretarinë e Kuvendit për të kaluar në një të ardhme të afërt në seancë plenare për miratim.
Megjithatë, edhe kjo nismë e shumicës mendohet të mos gjejë konsensusin e deputetëve të Partisë Socialiste, pasi sipas qëndrimit të djeshëm përfaqësuesit e PS-së nuk do të japin votën e tyre në Parlament, asnjë ligj që kërkon shumicë të thjeshtë dhe të cilësuar, për më tepër miratimin për ngritjen e një komisioni hetimor mbi masakrën e Tivarit.
"Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike po mbledh firmat për krijimin e një komisioni hetimor, që do të ndriçojë masakrën e Tivarit, në të cilën u ekzekutuan pa gjyq mijëra shqiptarë të Kosovës, gjatë pranverës së vitit 1945.
Sipas deputetëve nismëtarë, komisioni do të ketë në përbërje të tij 13 anëtarë, prej të cilëve 7 do t'i përkasin mazhorancës dhe 6 opozitës. Sipas ligjit për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore, Partisë Demokratike i takon të ketë edhe kryetarin e këtij komisioni.
Nisma pritet të depozitohet nesër (sot) në sekretarinë e Kuvendit të Shqipërisë dhe shumë shpejt ajo pritet të kalojë në seancë plenare për miratim", - thuhet në njoftimin për shtyp.
Veprimtaria e këtij komisioni mendohet të shtrihet përgjatë një viti që, sipas mazhorancës, do të tentojë të zbardhë të gjitha faktet dhe përgjegjësitë që çuan në ngjarjen e 65 viteve më parë.
Ndërsa specifikohet gjithashtu se qëllimi i këtij komisioni është që të nxjerrë përgjegjësitë shtetërore dhe individuale të personave që kryen ekzekutimin e mijërave shqiptarëve në pranverën e vitit 1945.
"Qëllimi i tij kryesor do të jetë edhe nxjerrja e përgjegjësive shtetërore dhe individuale, të atyre që me veprimet dhe mosveprimet e tyre ndihmuan në ekzekutimin e mijëra shqiptarëve.
Por, një tjetër pikë e objektit hetimor do të jetë edhe qëndrimi ndaj kësaj masakre të pashembullt i shtetit shqiptar gjatë viteve 1945-1990, si dhe përpjekjet e qëllimshme për të fshehur të vërtetën rreth saj", - shkruhet më tej në njoftim.
Iniciativa për ngritjen e këtij komisioni erdhi fillimisht nga Kryeministri Sali Berisha, i cili kërkoi që Kuvendi të mbante qëndrim ndaj çështjes së Tivarit dhe duke konsideruar autorin kryesor të kësaj masakre ish-liderin e fundit komunist, Ramiz Alinë. Sipas kreut të qeverisë, për hetimin e autorëve përgjegjës për këtë ngjarje, Parlamenti të vërë në veprim ligjin kundër genocidit.