Grupi i PS: Në shtator fillon faza e re e protestave

Socialistët vendosin marrëdhënie të kushtëzuar me Kuvendin, do të japin votën kundër për çdo ligj në Parlament
TIRANË - Partia Socialiste do të rinisë në shtator protestat për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Edhe për periudhën e mbetur të sesionit parlamentar, deputetët e PS do të kenë një marrëdhënie të kushtëzuar me Parlamentin. Gjatë kësaj kohe, socialistët nuk do të votojnë asnjë ligj të mazhorancës në Kuvend.
Ky ishte qëndrimi kryesor i shprehur në mbledhjen e grupit të deputetëve të Partisë Socialiste. Por gjatë mbledhjes pati edhe debate dhe deputetët u ndanë në dy kampe, ku njëri kërkonte nisjen e menjëhershme të aksionit politik, ndërsa tjetri marrëdhënien e kushtëzuar me Kuvendin.
Njëri grup ishte për një përshkallëzim të menjëhershëm të aksioneve të Partisë Socialiste, ku theksohej rëndësia e rifillimit të shpejtë të protestave. Ndërsa grupimi i dytë, çka edhe u mbështet nga pjesa më e madhe e grupit socialist, ishte për kushtëzimin e Kuvendit gjatë këtij sesioni dhe më pas ridiskutimin.
Deputetët e majtë diskutuan edhe njëherë për ndryshimin e Rregullores së Parlamentit dhe për projektligjin më të fundit, atë për "Inspektimin Financiar Publik".
Gjatë mbledhjes së djeshme të zhvilluar në orën 13:00 në ambientet e selisë rozë, deputetët socialistë diskutuan mbi qëndrimin që do të mbajnë ditën e sotme, por edhe në vijim me Kuvendin. Grupit Parlamentar i PS diskutoi në lidhje me situatën aktuale politike në vend që, sipas tyre, po shkon drejt përkeqësimit.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Gramoz Ruçi, bëri publik vendimin e PS për të mos dhënë konsensusin për ligjet, duke filluar nga seanca e nesërme. Deputetët e opozitës do të jenë të pranishëm nëpër punimet e komisioneve dhe gjatë seancave parlamentare, por nuk do të japin votën e tyre.
Ndërkohë, në shtator me nisjen e sesionit të ri parlamentar, socialistët do të rimblidhen për të diskutuar sërish për qëndrimin që kjo forcë politike do të mbajë ndaj situatës politike në vend.
Por jo të gjithë kanë qenë të mendimit për të pritur kalimin e pushimeve verore. Dy prej deputetëve më radikalë në qëndrimet e tyre kanë qenë Ledi Shamku dhe Arben Ahmetaj.
Të dy kanë qenë të mendimit se PS duhet t'i rikthehet sa më shpejt rrugës së protestave dhe përshkallëzimit të tyre. Lidhur me zërat brenda PS që kërkonin bojkotimin e jetës parlamentare, janë shprehur kundër deputetët si Damian Gjiknuri apo Ilir Gjoni.
Ndërsa deputeti tjetër Namik Dokle, i cili mban edhe postin e kryetarit të Kuvendit ka kërkuar që PS të mbajë një qëndrim të vetëm. Sipas tij, Partia Socialiste nuk mund të jetë edhe pro pjesëmarrjes së Parlamentit edhe protestave në rrugë.
Ka qenë vetë kreu i grupit parlamentar Gramoz Ruçi që në mbledhje hodhi idenë e zhvillimit të një lufte të fortë parlamentare nga njëra-anë dhe nga ana tjetër atë të mundësisë për të rifilluar protestat dhe përshkallëzimin e tyre në shtator me fillimin e sesionit të ri parlamentar.
Batutat në mbledhje
Gramoz Ruçi: Duhet një luftë e ashpër parlamentare dhe njëkohësisht propozoj që të mos votojmë ligjet.
Ledi Shamku: Të bëhemi gati për protesta dhe një qëndrim më të ashpër
Ditmir Bushati: Ne duhet të mendojmë për qytetarët. Ata na kanë inkurajuar të gjithë për faktin se ne jemi në Parlament. Ne duhet t'u themi atyre se jemi më të mirë se Saliu. Duhet një luftë politike parlamentare.
Gjiknuri: Duhet të qëndrojmë në Parlament
Arben Ahmetaj: Nuk kemi pse rrimë në Parlament, duhet të radikalizojmë qëndrimin
Ilir Gjoni: Jam kundër bojkotit!
Dokle: Unë mendoj që nuk ka ose, ose, por edhe, edhe, pra edhe luftë parlamentare, edhe protesta.
Malaj: Duhet të jemi forcë e alternativave. Duhet të shohim nga e ardhmja, duke bërë një luftë parlamentare
Gramoz Ruçi: Vendimin nuk do ta marrim sot, por, deri në fund të korrikut nuk do të votojmë asnjë ligj dhe asnjë nismë.
Vendimi
"Grupi PS vendosi që duke filluar nga dita e nesërme grupi socialist kushtëzon marrëdhëniet ndaj Parlamentit"
Ruçi: PD po uzurpon organet e drejtësisë
Pas mbledhjes së grupit parlamentar, kreu i grupit socialist, Gramoz Ruçi, shprehu qëndrimet e deputetëve të majtë.
"Grupi PS vendosi që duke filluar nga dita e nesërme grupi socialist kushtëzon marrëdhëniet ndaj Parlamentit, duke mos votuar asnjë ligj. Grupi do të përgatisë axhendën në lidhje me marrëdhëniet me Parlamentin", - theksoi Gramoz Ruçi.
Sekretari i Përgjithshëm i PS shprehu në emër të grupit të deputetëve të majtë shqetësimin lidhur me ndryshimin që mazhoranca i bëri Rregullores së Kuvendit vetëm me votat e saj, si dhe me projektligjin për Inspektimin Financiar që, sipas socialistëve, po tentohet të ngrihet një strukturë që do të dublojë SHISH-in dhe KLSH-në.
"Grupi i PS diskutoi me shumë shqetësim lidhur me hapat e fundit të qeverisë, ndryshimi i rregullores së Parlamentit që bën uzurpimin e organeve të drejtësisë dhe Gjykatës së Lartë dhe projektligji në financat publike gjë që çon në një kontroll, paralizim financiar të gjykatave, të SHISH-it të OJQ-ve dhe deri tek institucioni i Presidencës", u shpreh Ruçi. Socialistët e cilësojnë si një uzurpim që u bëhet organeve të drejtësisë dhe veçanërisht të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë.
1. Duke filluar që nga dita e nesërme Grupi Parlamentar Socialist përshkallëzon marrëdhënien me Parlamentin shqiptar, duke kushtëzuar marrëdhëniet ndaj këtij Parlamenti, duke mos votuar asnjë ligj, as me shumicë të thjeshtë e as me shumicë të cilësuar.
2. Grupi Parlamentar do të përgatisë gjatë ditëve në vazhdim axhendën e tij opozitare në marrëdhënie me Parlamentin.
3. Lidhur me hapat e mëtejshme, Grupi Parlamentar Socialist në sesionin e ardhshëm, apo të ri, parlamentar që fillon në shtator, do të bëjë publike hapat e mëtejshme lidhur me marrëdhëniet dhe me qëndrimin ndaj Parlamentit shqiptar.
Socialistët, kundër ligjit që i lejon qeverisë të kontrollojë të gjitha institucionet e pavarura dhe OJQ-të
Inspektimi Financiar, PS: Është antikushtetues
TIRANË - Një ditë pas shqyrtimit mes debateve të shumta në Komisionin e Ligjeve të projektligjit për Inspektimin Financiar Publik, ka reaguar Partia Socialiste nëpërmjet deputetes Mimi Kodheli, duke e vlerësuar si thellësisht antikushtetues. Madje, sipas saj, ky ligj është një cenim i rëndë i pavarësisë të një sërë institucioneve kushtetuese, si dhe në dhunim të pushteteve të pavarura, siç janë drejtësia dhe pushteti vendor.
"Ne e konsiderojmë se antikushtetutshmëria e këtij ligji është një element i mjaftueshëm për të votuar kundër tij, në mbrojtje të pavarësisë së pushtetit gjyqësor, të pushtetit vendor, si dhe institucioneve të rëndësishme kushtetuese, si Kontrolli i Lartë i Shtetit, Shërbimi Informativ i Shtetit apo dhe shoqërisë civile, - theksoi nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Mimi Kodheli.
Socialistët shprehen se ligji për "Inspektimin Financiar dhe Publik" është tërësisht politik e antikushtetues që, sipas tyre, ka tejkaluar direktivën e BE-së në këto dy parametra dhe që nuk do të shtojë asgjë të re dhe asnjë rezultat të dobishëm në luftën kundër korrupsionit.
Deputetja Kodheli u shpreh se kjo ishte arsyeja që deputetët e opozitës në Komisionin e Ekonomisë kërkuan, në mbështetje të rregullores, opinionin e Komisionit të Ligjeve, lidhur me kushtetutshmërinë e këtij projektligji, por që, sipas saj, në mënyrë të qëllimshme, shqyrtimi i kushtetutshmërisë së këtij projektligji nga ana e Komisionit të Ligjeve nuk është bërë.