Merkel: Pas Kroacisë, asnjë vend tjetër në BE

Integrimi në BE
Procesi i zgjerimit mbyllet më 2012, vendet aspirante duhet të presin edhe 10 vite të tjera
BRUKSEL - Bashkimi Europian do të kushtëzojë për vitet në vazhdim zgjerimin e tij me vendet që kërkojnë të anëtarësohen në të, kur dje ka ardhur një sinjal i qartë nga kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, e cila i ka kërkuar zyrtarëve të Unionit që në BE të pranohet vetëm Kroacia dhe asnjë shtet tjetër. "Kroacia do të pranohet dhe asnjë tjetër pas saj".
Këtë qëndrim të kancelares Merkel e bën të ditur gazeta kroate "Nacional", sipas së cilës, të gjitha shtetet që kërkojnë të anëtarësohen në Bashkimin Europian, përfshi këtu edhe Shqipërinë, janë informuar në rrugë të fshehta diplomatike për këtë qëndrim të fundit të BE-së dhe konkretisht të kancelares Merkel.
Në këtë aspekt, Kroacia ndodhet më afër integrimit në Bashkimin Europian sesa vendet e tjera të Ballkanit, si Shqipëria, e cila ende nuk ka zgjidhur krizën politike, duke lënë të paplotësuar deri më tani kriterin politik.
Nga ana tjetër, Maqedonia nuk ka zgjidhur çështjen e emrit me Greqinë, ndërsa Serbia akoma nuk ka dorëzuar përpara drejtësisë ndërkombëtare kriminelin e luftës në Bosnje-Hercegovinë, Ratko Mlladiç.
Në këtë mënyrë, Komiteti i përfaqësuesve të përhershëm të Këshillit në Bashkimin Europian ka vendosur që Kroacisë t'i lejohet hapja e tre kapitujve të mbetur për negociatat e integrimit të saj në BE, ndërkohë që është refuzuar kërkesa për diskutim mbi anëtarësimin e Serbisë.
Nisur edhe nga ndikimi i kancelares gjermane, Angela Merkel, tek zyrtarët e Bashkimit Europian, Unioni ka vendosur të ndryshojë politikën për zgjerimin, duke mos pranuar vende të tjera për 10 vitet e ardhshme.