Meta: Kosova tashmë çështje ndërkombëtare

Pavarësia e Kosovës edhe gjatë vitit 2010 dëshmoi më tej shndërrimin e Ballkanit Perëndimor nga burim konfliktesh në të shkuarën, në burim stabiliteti dhe bashkëpunimi drejt perspektives së përbashkët evropiane.
Sipas zëvendëskryeministrit shqiptar, Ilir Meta, treguesi më kuptimplotë i këtij realiteti të ri është rritja e nivelit të marrëdhënieve ekonomike midis Serbisë dhe Shqipërisë dhe tejkalimi i qëndrimeve të kundërta lidhur me statusin e Kosovës.
“Qeveritë e Shqipërisë dhe të Serbisë kanë konfirmuar prej kohësh, se janë të vendosura të ecin përpara drejt një bashkëpunimi të gjithanshëm, jo vetëm për të kontribuar në forcimin e paqes dhe të stabilitetit në rajon, të proceseve integruese rajonale, por sidomos për të përshpejtuar perspektivën evropiane për dy vendet tona dhe gjithë rajonin", ka deklaruar Meta në një intervistë për DW.
“Tanimë çështja e Kosovës nuk është një çështje e ngushtë e raporteve bilaterale midis Tiranës dhe Beogradit, por një çështje ndërkombëtare. Këtë e tregon më së miri fakti që Kosova ka një njohje të fuqishme ndërkombëtare dhe cilësore, po të kemi parasysh shumicën dërrmuese të vendeve të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, që e kanë njohur deri tashti shtetin e ri të Kosovës” është shprehur Meta.