E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistrimi i popullsisë, Tahiri letër Topallit: Zbardh procesin e votimit

Tahiri: “Unë, ju dhe publiku, jemi në dijeni se dy deputetë të Kuvendit nuk ishin fare prezent në sallë, edhe pse ende sot rezultojnë si votues "pro" nismës së qeverisë. Këta dy deputetë nuk kanë qenë prezent as në Shqipëri dhe këtë e provon përtej çdo dyshimi, skeda e hyrje-daljeve kufitare të secilit prej tyre”.

TIRANË Partia Socialiste e konsideron ende të pambyllur debatin lidhur me ligjin për regjistrimin e popullsisë, edhe pse ai ka hyrë në fuqi. Deputeti i PS-së, Saimir Tahiri, i ka kërkuar dje, përmes një letre publike, kryeparlamentares Jozefina Topalli që të zbardhë procesin e votimit të ligjit në fjalë. “Po ju drejtohem në përmbushje të detyrës sime, për t'ju kërkuar vetëm zbatimin e Rregullores së Kuvendit, duke bërë zbardhjen e menjëhershme të procesverbalit te seancës dt. 7 korrik 2011, pjesëmarrjen reale të deputetëve në sallë si dhe zbardhjen e tabulatit të votimit të secilit prej deputetëve realisht pjesëmarrës për ligjin 'Për Regjistrimin e Përgjithshëm të Popullsisë dhe Banesave', të lejoni administratën të publikojë menjëherë procesverbalin me të gjitha të dhënat, dhe kjo pa humbur më shumë kohë, me qëllim shmangien e pasojave të një ligji tërësisht nul, që nuk duhet të kishte hyrë kurrë në fuqi”,- thuhet në letrën e dërguar Topallit. Sipas deputetit socialist, publiku është njohur me fakte që hedhin dyshime se procesi i votimit atë ditë ka qenë i montuar, fiktiv dhe i manipuluar, kundër vullnetit të deputetëve. Tahiri thekson në letrën e tij se kundrejt debatit që po zhvillohet nga grupet e interesit për regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare, institucioni i Kuvendit hesht përballë kërkesës për transparencë. “Keni shkuar dhe më larg se kaq, duke lejuar shkeljen e afatit ligjor të parashikuar si detyrim absolut për çdo institucion publik në dhënien e informacionit zyrtar dhe bërjen e transparencës sa i takon, në këtë rast, pjesëmarrjes dhe votimit të deputetëve”, - shkruan Tahiri. Ai kujton në letrën e tij se dy deputetë nuk kanë qenë të pranishëm gjatë procesit të votimit, duke mos arritur kuorumin e nevojshëm për kalimin e ligjit. “Unë, ju dhe publiku, jemi në dijeni se dy deputetë të Kuvendit nuk ishin fare prezent në sallë, edhe pse ende sot rezultojnë si votues "pro" nismës së qeverisë. Këta dy deputetë nuk kanë qenë prezent as në Shqipëri dhe këtë e provon përtej çdo dyshimi, skeda e hyrje-daljeve kufitare të secilit prej tyre. Njëri prej dy deputetëve, ishte dhe i ndjeri Gëzim Dibra, i cili dergjej mes vuajtjesh spitaleve jashtë vendit. Ju i përnderuat shpirtin, por nuk harruat t’i vidhnit votën së gjalli. Kjo mbetet çështje e moralit tuaj, gjithsesi”,- citon deputeti i PS-së në letër. Nisur nga këto fakte, Tahiri thekson në letër se Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit e shpallin direkt të pavlefshëm dhe pa efekte juridike këtë ligj. “Duket se të gjitha dispozitat e Rregullores të Kuvendit janë shkelur me të dyja këmbët, nën hundën tuaj dhe të Kryeministrit, në mos jeni Ju dhe Kryeministri vetë që e keni urdhëruar e ligjëruar edhe në këtë rast, manipulimin e votave në Kuvend”, - citon Tahiri në letër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›