Meta: Lidershipi i PS, peng i krimit të organizuar
"Lidershipi aktual i Partisë Socialiste është peng i krimit të organizuar". Kjo ishte akuza me të cilën u shfaq dje para publikut kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, njëkohësisht zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm. I ftuar në emisionin "Ora e Debatit", të gazetarit Alfred Peza në "Ora News", Meta u shpreh se "provat do të dalin çdo ditë". Kemi menduar në muajt e parë, tha ai, thjesht se zoti Rama nuk donte të ikte nga partia, mirëpo qeveria ka mbajtur një qëndrim konstruktiv. "Qeveria ka qenë e hapur, shumë konstruktive, por kemi vënë re se ky konstruktivitet është kuptuar si dobësi. Është tentuar të krijohet një situatë në vend, ku praktikisht t‘i krijohet hapësirë atij që është ndjerë më shumë i shqetësuar nga ky rezultat zgjedhjesh, pra krimit të organizuar që kërkon kaos", theksoi Meta. Ai sqaroi se ka një dallim të qartë për opozitën demokratike që respekton shtetin dhe ligjin dhe ato kontingjente që kërkojnë që, nën petkun e opozitës, të realizojnë qëllime kriminale. "Ata kërcënojnë deputetët që duan të shkojnë në Kuvend në forma mafioze. Nesër, Edi Rama mund të thotë hajde lirojmë edhe Aldo Baren, si pasojë e një konsensusi politik. Si mendoni ju, kjo është rruga që duhet të ecë shteti ligjor?", shtroi pyetjen Meta. Deputetët e PS-së, vijoi ai, janë në presion dhe shumë prej tyre i kanë bërë qëndrimet publike. "E kanë bërë të qartë se në këto zgjedhje humbi zoti Rama. Ligjin në grupin parlamentar e bëjnë biznesmenët që financojnë të ashtuquajturat protesta. Përveç njerëzve të bashkive, që rrezikojnë të humbasin vendet e punës, të tjerët kanë pasur pagesë dhe qofte. Askush nuk ia ka borxh kësaj force politike që nuk pastron Tiranën. Ata janë të lirë të bëjnë protesta, por nuk janë të lirë të cenojnë institucionet dhe ligjin", u shpreh Meta. Këta kujtojnë, shtoi ai, se me veprime të tilla mund të arrijnë të mposhtin shtetin, kur ende s‘kanë kuptuar forcën e shtetit dhe ligjit. "Nëse ditët e fundit ka një ton më të fortë, kjo vjen sepse këta njerëz duhet të njohin limitet para se ligji të veprojë qartë. Ne nuk kemi dëshirë të inkriminojmë opozitën, por duam të ruajmë rendin kushtetues", tha Meta. Të jeni të sigurt, tha ai, që do të bëjmë të gjitha veprimet ligjore. "Unë s‘jam dakord të përmenden familjet dhe lidhjet biografike në këtë histori. Ka ikur koha kur një njeri duhet të lidhet me pjesëtarët e familjes, por në fund të fundit qytetarët shqiptarë nuk mund të dëgjojnë dënglat e Gramoz Ruçit pas 20 vitesh demokraci. Ruçi është një njeri me probleme që nga koha kur ka qenë ministër i Brendshëm. Njeri që donte të fuste në luftë Fierin dhe një nga arsyet pse vendosa koalicionin ishte të shmangja përplasjen, sepse këta njerëz nuk pranonin humbjen", insistoi Meta.